Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 0%

Hapet provizorisht për qarkullim aksi Palasë-Dhërmi, Balluku: Javën tjetër do të hapet edhe rrethrrotullimi i TEG-ut

Nga A2 CNN
26 Gusht 2022, 19:12 | Aktualitet
Hapet provizorisht për qarkullim aksi Palasë-Dhërmi, Balluku:

Rruga Palasë-Dhërmi është hapur provizorisht për qarkullim, ndërsa do të jetë plotësisht gati në fillim të sezonit të ardhshëm veror. Lajmine ka bërë të ditur zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, gjatë inspektimit të rrugës.

Balluku tha se kjo rrugë është e projektuar për t’i ardhur në ndihmë fshatrave turistike që po ndërtohen në këtë zonë, pjesë e projekteve strategjike që janë miratuar nga Këshilli i Investimeve Strategjike për ndërtimin e ujësjellësve, apo furnizimin më të mirë me energji elektrike.

“Hapja e këtij aksi do të ndihmojë në lehtësimin e trafikut të rënduar në aksin Palasë-Dhërmi. Tashmë, të gjithë ata që duan të vizitojnë Dhërmiun mund të përdorin këtë rrugë“, u shpreh zv/kryeministrja Balluku.

Rruga lidhet dhe me tunelin e Llogorasë, për të cilin Balluku informoi se punimet po ecin me ritme të larta dhe se deri tani është hapur më shumë se gjysma e tunelit.

“Në muajin shkurt të vitit që vjen, ne besojmë se do të ketë dritë në të dy anët e tunelit”, theksoi ajo.

Balluku shtoi se projekti i ndërtimit të rrugës Palasë-Dhërmi parashikon edhe ndërtimin e një pedonaleje për këmbësorët, si dhe një korsie për biçikletat dhe vrapuesit, ndërsa renditi dhe disa nga akset rrugore në të cilat është punuar përgjatë këtij viti. Sipas saj, deri tani janë hapur bajpasi i Vlorës, aksi Kardhiq-Delvinë, ndërsa do ti nënshtrohet rehabilitimit edhe rruga Fier-Vlorë.

“Kemi hapur kantiere të reja, si kantieret e Unazës së Madhe të Tiranës, ndërsa është hapur edhe gara për Korridorin Blu”, informoi Balluku.

Po kështu Balluku njoftoi se javën që vjen, do të hapet për qarkullim edhe rrethrrotullimi i TEG-ut, duke lehtësuar ndjeshëm edhe qarkullimin e mjeteve drejt Elbasanit dhe për nga Tirana.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani