Tensionet me Kosovën, Vuçiç: Shpresojmë në marrëveshje për çështje të vogla

Publikuar më: 26/8/2022, ora 10:06
kfor 1280x720

Tensionet me Kosovën, Vuçiç: Shpresojmë në marrëveshje për çështje të vogla

Publikuar më: 26/8/2022, ora 10:06

Kosova dhe Serbia të zotohen se nuk do të ketë dhunë në veri. Kjo ishte kërkesa e qartë e të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, pas vizitës së zhvilluar këtë javë në Kosovë dhe Serbi. Zyrtari  i lartë i Shteteve të Bashkuara tha se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja do të vazhdojë dhe se shpreson që deri në fund të muajit të arrihet një marrëveshje.

“Dialogu nuk është klinikisht i vdekur, unë nuk jam pjesë e dialogut. Shtetet e Bashkuara nuk janë pjesë e dialogut, por ne mbështesim dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Shpresoj që deri në fund të muajit ne do të gjejmë rrugë për të vazhduar. Në të njëjtën kohë, dialogu do të vazhdojë. Të gjitha marrëveshjet do të duhet të zbatohen, përfshirë formimin e Asociacionit”, tha Gabriel Escobar.

Në konferencën e mbajtur në ambasadën amerikan në Beograd, diplomati i Shteteve të Bashkuara tha se shpreson që më 1 shtator, të mos ngarkohet jetesa e banorëve në veri të Kosovës dhe ata të jetojnë në paqe. Ai pranoi se bisedimet me të dy liderët kanë qenë të vështira, por se ka parë gatishmëri për të gjetur zgjidhje. Që bisedimet me Vuçiç nuk ishin aspak të lehtë këtë e konfirmoi edhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili zhvilloi dy takime me numrin një të Beogradit, e fundit për të cilëve në orët e vona të së enjtes. Pas raundit të dytë, Lajçak pohoi përmes një postimi në Tëitter se shpresonte qe ishin në rrugën e duhur. Sakaq presidenti serb tha se shpreson në një zgjidhje kompromisi me Kosovën për çështjen e targave dhe dokumenteve serbe.

“Ne do të vazhdojmë bisedimet dhe besoj se në ditët në vijim do të mund të arrijmë një zgjidhje kompromisi, të paktën për një pjesë të vogël, pasi është e qartë se një zgjidhje e tillë nuk mund të arrihet fare sa u përket targave dhe disa çështjeve më të mëdha”, tha Vuçiç.

Lajçak dhe Escobar vizituan këtë javë Kosovën dhe Serbinë, me qëllim për të përshpejtuar një marrëveshje për shmangien e tensioneve mes dy vendeve, para hyrjes në fuqi të vendimeve për reciprocitetin në kufi më 1 shtator. Ndërsa në media kanë qarkulluar zëra se palët mund të dakordësohen për një tjetër shtyrje të zbatimit të masave, Kurti ka përsëritur se do ti përmbahet vendimit.