SHBA, në dokumentet në Mar-a-Lago informacione mbi spiunët dhe burimet e tyre

Publikuar më: 27/8/2022, ora 08:28

SHBA, në dokumentet në Mar-a-Lago informacione mbi spiunët dhe burimet e tyre

Publikuar më: 27/8/2022, ora 08:28

Identiteti i spiunëve, burimeve, sinjalizuesve, bashkëpunëtorëve, agjentëve të fshehtë dhe i gjithë zinxhirit janë në tryezën e inteligjencës amerikane.

Në disa nga kutitë e marra nga Mar-a-Lago kishte edhe këtë lloj informacioni të klasifikuar, i cili është ndër më të ndjeshmit dhe më të mbrojturit nga qeveria, sepse ka jetë njerëzish në rrezik dhe sepse humbja e qoftë edhe një prej këtyre shifrave mund të rezultojë në një hap pas me vite për inteligjencën amerikane.

Nxitimi i agjentëve federalë për të siguruar këtë informacion do të shpjegonte blitzin e FBI-së, e shqetësuar për mundësinë e identifikimit të burimeve të saj në rast se do të përfundonin në duar të gabuara.

Asnjë hapësirë në Mar-a-Lago nuk ishte e autorizuar për ruajtje të materialeve të klasifikuara, thuhet në dokumentat e gjykatës, ku paraqiten argumentat e FBI-së për kontrollin e bërë në këtë objekt më herët këtë muaj, dhe ndër të tjera edhe “baza për të besuar se do të gjendet evidencë për pengim të drejtësisë”.

Dokumenti prej 32 faqesh, megjithëse i redaktuar në masë, ofron përshkrimin më të detajuar deri më tani të dokumentave qeveritare që mbaheshin në Mar-a-Lago për një kohë të gjatë pasi ish-Presidenti Trump ishte larguar nga Shtëpia e Bardhë, si dhe zbulon rëndësinë e shqetësimeve të qeverisë se dokumentat mbaheshin atje në mënyrë të paligjshme.

FBI i tha një gjyqtari se ata prisnin të gjenin “prova të pengimit” të drejtësisë në një kontroll në shtëpinë e ish-presidentit Donald Trump në Florida, sipas dokumenteve të gjykatës së sapo publikuar.

“Qeveria po bën një hetim penal në lidhje me marrjen dhe mbajtjen e informacionit të klasifikuar në hapësira të paautorizuara, ashtu si edhe për fshehjen apo heqjen e paligjshme të të dhënave qeveritare”, shkruhet në faqen e parë të dokumentit të FBI-së, ku kërkohet leja e gjykatësit për të marrë një urdhër kontrolli në objekt.

Dokumenti nuk jep detaje të reja për 11 volumet e dokumentave të klasifikuara që u morën më 8 gusht gjatë kontrollit në Mar-a-Lago, por ka të bëjë me një tjetër sasi prej 15 kutish me dokumentacion që Administrata Kombëtare e Arkivave dhe Dokumentacionit mori nga Mar-a-Lago në muajin janar.

Sipas dokumentit, zyrtarët identifikuan në këto kuti 184 dokumenta të klasifikuara, përfshirë 25 dokumenta me klasifikimin tepër sekret. Agjentët që inspektuan kutitë konstatuan informacion të klasifikuar të ofruar nga burime konfidenciale njerëzore, si dhe informacion në lidhje me Ligjin për Survejimin e Zbulimit të Jashtëm.

Dokumenti paraqet në tërësi detaje të mëtejshme për një hetim penal në vazhdim, i cili ka sjellë telashe të reja ligjore për ish-Presidentin Trump, ndërsa ai po përgatit terrenin për një kandidim të ri për president. Dokumenti gjithashtu tregon me detaje sasinë e dokumentave konfidenciale qeveritare që mbaheshin në Mar-a-Lago, në vend që të dorëzoheshin në Arkivat Kombëtare.

Ish-Presidenti Trump ka këmbëngulur prej kohësh se, megjithë provat për të kundërtën, ka bashkëpunuar plotësisht me zyrtarët e qeverisë. Ai ka siguruar mbështetjen e republikanëve duke e paraqitur kontrollin nga FBI-ja si një gjueti shtrigash të motivuar politikisht, që synonte të dëmtonte shanset e tij në zgjedhje.