Çmimi i energjisë, rekord i ri në bursa, situata e paqartë për në vijim

Publikuar më: 29/8/2022, ora 19:45

Çmimi i energjisë, rekord i ri në bursa, situata e paqartë për në vijim

Publikuar më: 29/8/2022, ora 19:45

Çmimet e energjisë iu janë rikthyer niveleve rekord në tregjet ndërkombëtare. Në bursën e Hungarisë, që shërben si referencë për transaksionet në Shqipëri, çmimi i energjisë shënoi një mesatare prej 731.05 euro/mwh.

Ky është çmimi më i lartë për këtë muaj, çka paralajmëron një situatë shqetësuese për në vijim dhe për një dimër të vështirë, në rast se nuk do të nisin reshjet e shiut. Rritja e çmimit të energjisë deri në nivele rekord në tregjet ndërkombëtare ka detyruar Korporatën Elektroenergjetike shqiptarë që të anulojë blerjet e parashikuara. 

KESH ka anuluar dy procedurat e mëparshme për të mbuluar periudhën e gushtit, për shkak të çmimeve të larta në bursa. Kjo do të thotë se kërkesat e vendit për energji po plotësohen aktualisht nga prodhimi vendas. Rrjedhimisht, rezerva energjetike në kaskadën e lumit Drin ka rënë ndjeshëm ndjeshëm javët e fundit.

Sipas të dhënave të korporatës, me shpejtësi po bie edhe niveli I ujit në Fierzës, liqeni më i madh i kaskadës, që aktualisht ka zbritur në 275.67 metër nga 281.4 m që ishte në fillim të këtij muaji. Të ngadalësuara paraqiten edhe prurjet natyrore në të tre hidrocentralet e kaskadës së Drinit, teksa prodhimi vendas i energjisë ka kapur kuotën e 17.424 Mwh. 

Deri më tani, qeveria ka mbështetur me fondet e buxhetit sektorin e energjisë elektrike nëpërmjet garancive shtetërore për kompanitë energjetike. Por situata mbetet e paqartë për muajt në vijim, me bursën gjithmonë në rritje dhe kërkesat për energji që pritet të shtohen gjatë periudhës së dimrit.