Rusët shpeshtojnë sulmet, goditet Kharkivi, vritet një amerikan

Publikuar më: 29/8/2022, ora 08:59
781997 XXL 1152x720

Rusët shpeshtojnë sulmet, goditet Kharkivi, vritet një amerikan

Publikuar më: 29/8/2022, ora 08:59

Pas disa javësh më të tërhequra, duket se fundi i gushtit po sjell një hov të ri në sulmet ushtarake ruse në Ukrainë.

Fronti më i nxehtë mbetet ai lindor, por edhe zona e Zaporizhia, pranë centralit bërthamor më të madh të Europës, i cili po pret mbërritjen e grupit të inspektorëve të AIEIA, agjencisë atomike.

Rusët kanë goditur në atë zonë qytetin e Ohriv, me më shumë se 200 sulme ajrore në vetëm 6 orë, ku raportohen shkatërrime të mëdha në infrastrukturë dhe viktima.  

E sulmuar është edhe Kharkiv, qyteti më i populluar ukrainas pas Kievit, dhe objektiv madhor i fushatës ruse. Qendra e qytetit lindor u godit gjatë natës nga të paktën dy raketa, që sipas kryebashkiakut të saj Ihor Terekhov kanë shkatërruar një godinë qeveritare.

Ndërkohë, në terren sinjalizohet edhe një tjetër shtetas amerikan i vrarë ndërkohë që luftonte si vullnetar krahas forcave të Kievit. Sipas burimeve ruse, personi ende pa emër ishte një 24-vjeçar nga Memphis.

Në Kiev, vijon vepra e spastrimit të presidentit Zelenski kundrejt zyrtarëve dhe ushtarakëve të lartë që nuk kanë performuar siç duhet ose, edhe më keq, dyshohet se kanë bashkëpunuar me armikun rus.

Shkarkimi i fundit është ai i Yaroslav Spodar, zëvendëskomandant i Gardës Kombëtare, që kishte marrë atë post në 2014.