Franca dhe Gjermania janë kundër kufizimit të vizave për rusët

Publikuar më: 30/8/2022, ora 15:05

Franca dhe Gjermania janë kundër kufizimit të vizave për rusët

Publikuar më: 30/8/2022, ora 15:05

Propozimi i disa shteteve të Bashkimit Europian për të ndaluar vizat turistike për shtetasit rusë, për shkak të luftës në Ukrainë, duket se po përballet me pengesa të mëdha. Në prag të takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së që takohen në Pragë lidhur me çështjen, Franca dhe Gjermania kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, ku theksojnë se kufizimi i vizave për rusët do të ishte masë kundërproduktive, teksa BE-ja po tenton të fitojë zemrat dhe mendjet e qytetarëve të këtij vendi që nuk e mbështesin agresionin e paprovokuar të Moskës ndaj Ukrainës.

“Ne duhet të mendojmë për mënyra të mençura për të përdorur këtë levë të rëndësishme, që është lëshimi i vizave. Ndërsa kufizojmë kontaktet me përfaqësuesit e regjimit, ne duhet të luftojmë në mënyrë strategjike për të fituar zemrat dhe mendjet e popullatës ruse – të paktën e atyre segmenteve që nuk janë shkëputur krejtësisht nga Perëndimi”.

Deklarata e përbashkët e Francës e Gjermanisë

Franca dhe Gjermania sugjerojnë se blloku duhet të vazhdojë të ofrojë viza për studentët, artistët, shkencëtarët dhe profesionistë të tjerë kyçë që duan të hyjnë në BE. Shtetet që ndajnë kufirin me Rusinë – ato të Baltikut, Polonia dhe Finlanda – janë nismëtare të idesë së vendosjes kufizimeve sa i përket lëshimit të vizave turistike për rusët.

Arrestimi i spiunëve të dyshuar rusë teksa përpiqeshin të hynin në uzinën ushtarake të Gramshit, bëri që thirrja e presidentin ukrainas për të ndaluar vizat për qytetarët rusë në Europë, të trajtohej më me urgjencë. Por për vendosjen e një sanksioni të tillë duhet një vendim unanim i të 27 shteteve anëtare. Një marrëveshje e vitit 2007, ka mundësuar lehtësimin e kushteve për marrjen e vizave turistike nga rusët, por kjo marrëveshje është pezulluar pjesërisht në fund të shkurtit, duke u pamundësuar udhëtimin në bllok të personave të afërt me presidentin rus, Vladimir Putin.