Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 17%
  • Qendrat historike 17%

Ndahet nga jeta presidenti i fundit i Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbachev

Nga A2 CNN
30 Gusht 2022, 22:44 | Bota

Është ndarë nga jeta Mikhail Gorbachev, presidenti i fundit i Bashkimit Sovjetik. Mësohet se ai ka ndërruar jetë në Moskë në moshën 92-vjeçare.

Agjencitë shtetërore të Rusisë raportuan se Gorbachev ndërroi jetë pas një sëmundje të gjatë. “Mikhail Sergeevich Gorbachev vdiq këtë mbrëmje pas një sëmundjeje të rëndë dhe të gjatë”, konfirmoi spitali në Moskë. Spitali tha se ai vuante prej një kohe të gjatë nga një sëmundje e rëndë.

Gorbachev është bërë udhëheqës i Bashkimit Sovjetik në vitin 1985, ndërsa mbahet mend për zbatimin e reformave të thella politike dhe ekonomike. Ai e hapi Bashkimin Sovjetik të asaj kohe për botën dhe e prezantoi vendin e tij me disa reforma të reja. Por e pati të pamundur të parandalojë rënien e ngadaltë të Bashkimit Sovjetik, nga e cila lindi më pas Rusia moderne.

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se Gorbachev ishte njeriu që ndryshoi kursin e historisë. Presidenti amerikan Joe Biden e quan “një lider të rrallë” ndërsa Vladimir Putin shpreh ngushëllimet  e tij për ndarjen e tij nga jeta.

Gorbachev u emërua Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste Sovjetike dhe de fakto u bë lider i vendit në vitin 1985. Në atë kohë ai ishte 54 vjeç, anëtari më i ri i këshillit udhëheqës dhe u pa si një njeri që do të sillte pak “ajër të freskët”, pas liderëve në moshë që kishin drejtuar deri në atë kohë.

Në rrafshin diplomatik, arriti disa marrëveshje për kontrollin e armëve me SHBA, refuzoi të ndërhyjë kur liderët e Europës Lindore u ngritën kundër udhëheqësve të tyre komunistë dhe i dha fund luftës së përgjakshme sovjetike në Afganistan, që vazhdonte pa pushim që prej vitit 1979. Përmes politikës së tij të hapur, ai i lejonte njerëzit që të kritikonin qeverinë e tij, në një mënyrë që askush nuk e kish menduar më parë se mund të ndodhte.

Në vitin 1991, Gorbachev, pas një grushti shteti të kundërshtarëve të vijës së ashpër komuniste, pranoi të shpërbëjë Bashkimin Sovjetik dhe u largua nga detyra.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani