Protestë në Prishtinë pas përdhunimit të 11-vjeçares, kërkohet dënim me vdekje për autorët

Publikuar më: 30/8/2022, ora 16:35

Protestë në Prishtinë pas përdhunimit të 11-vjeçares, kërkohet dënim me vdekje për autorët

Publikuar më: 30/8/2022, ora 16:35

Dhjetëra qytetarë protestuan në Prishtinë të Kosovës kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave. Ky manifestim erdhi pas rastit të dhunimit të 11-vjeçares nga pesë persona, ngjarje e cila shokoi mbarë opinionin publik. Në këtë reagim qytetar nuk morën pjesë figura të njohura publike apo krerët e institucioneve shtetërore, pavarësisht se prej tyre pati reagime të shumta. Atë që ndodhi, protestuesit e konsideruan një ngjarje makabre dhe kërkuan të bëhet më shumë për parandalimin e tyre.

“Unë kam qenë dje shumë i indinjuar sepse është një ngjarje makabre e cila nuk ka ndodhur rastësisht, është ngjarje në të cilën nuk ka dështuar askush në atë që ka ndodhur dje kemi dështuar të gjithë si shoqëri. Institucioni i parë shoqërisë sonë, familja, që se ka ditë ku e ka vajzën 7 orë, dhe familja e atyre djemve që ka rritur djem që iu është dukur në rregull që munden ta trajtojnë një fëmijë 11-vjeçare në atë mënyrë duke e lënë të lirë sepse nuk kanë qenë as të vetëdijshëm për krimin që ka bërë”, deklaroi aktivistja Xheraldina Rexhepi.

“Unë e lus Vjosa Osmanin, Albin Kurtin, Albulena Haxhiun le t’i hulumtojnë pak prokurorët dhe gjyqtarët apo e kryejnë punën apo e kryejnë detyrat sipas ligjit sipas Kushtetutës së Kosovës. Ky akt dje kriminal që ka ndodhur, ata dhunues e meritojnë varje këtu përpara bustit të Skënderbeut dhe më kurrë këso raste nuk ndodhin”, u shpreh protestuesi Shukri Retkoceri.

“Për qeverinë kam dy fjalë, duhet shumë me punua nuk është vetëm arsimi që i ndalon këto gjëra, por është edukimi i hershëm edhe duhet me u shfaq në masë të madhe me emër me mbiemër konkret, është mjaftë këto me u fsheh”, tha protestuesi tjetër Lulzim Bexheti.

Një protestë për të dënuar dhunën ndaj grave dhe vajzave është organizuar edhe përgjatë të mërkurës në Prishtinë. Ndërkohë, policia e Kosovës bëri të mundur dhe arrestimin e të dyshuarit të pestë, ndërsa Gjykata Themelore e Prishtinës caktoi masën e paraburgimit për disa prej tyre.