“Serbia të hapë arkivat”. Kosova kërkon drejtësi për të pagjeturit, 23 vite pas luftës

Publikuar më: 30/8/2022, ora 14:17

“Serbia të hapë arkivat”. Kosova kërkon drejtësi për të pagjeturit, 23 vite pas luftës

Publikuar më: 30/8/2022, ora 14:17

Kanë kaluar 23 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë dhe ende sot, mbi 1600 persona rezultojnë të zhdukur.

Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, në Prishtinë, janë ekspozuar 35 fotografi të realizuara nga familjarët e tyre, foto të shoqëruara në krah me thënie që tregojnë se çfarë ata po përjetojnë prej 23 vitesh, pa ditur asgjë për fatin e të dashurve të tyre.

Familjarët kërkojnë drejtësi e zbardhjen e të vërtetës. “Kemi pritur 30 gushtin që të mos jetë kaq punë e vonuar, sikur edhe vitet e tjera. Kemi edhe sot 1670 të pagjetur”, thotë familjari i një të pagjeturi. “Eshtrat e djalit nuk po i gjej”, tregon një e moshuar. “Djali i djalit, 14 muajsh, edhe ai. Me muaj vetëm kam qarë”.

Kurti e Osmani, thirrje Serbisë: Prano krimet

Teksa kryen homazhet pranë obeliskut për personat e pagjetur në Ditën Ndërkombëtare të të zhdukurve, presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti kërkuan nga Serbia që të pranojë krimet e të tregojë vendndodhjen e të pagjeturve të luftës. Edhe njëherë, ata kërkuan nga Beogradi që të hapë arkivat ndërsa ndërkombëtarëve i kërkojnë trysni më të madhe mbi këtë çështje.

“Në mes të këtyre 1670 të zhdukurve ka edhe që nuk janë shqiptarë. Ne angazhohemi për zbardhjen e fatit të të gjithëve, pa dallim etnie. Me këtë rast i ftoj qytetarët që kanë informacion, që ta bëjnë publik. Besoj që përveç se hapja e arkivave në Beograd, edhe qytetarët në Serbi të tregojnë atë që dinë”, tha Kryeministri Kurti.

“Edhe sot, bëjmë thirrje që bashkë me komunitetin ndërkombëtar, të rrisim angazhimin në mënyrë që Serbia, p[përfundimisht, të përgjigjet për krimet e kryera, por edhe të tregojë vendndodhjen e qytetarëve tanë të cilët akoma nuk e dimë se ku janë. Siç e dini, në dialogun me Serbinë është bërë prioritet gjetja e të zhdukurve me dhunë”, tha Osmani.