Aksioni Berisha-Meta, analistët: Pakënaqësia ndaj mazhorancës avantazh për opozitën

Publikuar më: 31/8/2022, ora 13:52

Aksioni Berisha-Meta, analistët: Pakënaqësia ndaj mazhorancës avantazh për opozitën

Publikuar më: 31/8/2022, ora 13:52

Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë paralajmëruar lëkundje të forta për qeverinë në sezonin e ri politik, por rrëzimi i kësaj mazhorance nuk duket edhe aq i lehtë. I këtij mendimi është analisti Ilir Kalemaj i cili edhe pse pranon se situata ku ndodhet vendi është në avantazh të opozitës, sheh si problem  mungesën e një alternative të re.

“Ka pakënaqësi të madhe, por nuk ka alternativë të re”, u shpreh Kalemaj.

Të njëjtin mendim ndan edhe Lutfi Dervishi, i cili sheh 2 rrugë që opozita të arrijë qëllimin e saj.

 “Ka 2 opsione; beteja parlamentare dhe protestat”, deklaron Dervishi.

Iniciativat e mazhorancës për pastrimin e politikës nga bashkëpunëtorët e ish-sigurimit të shtetit dhe ish-sekretarët e partisë së punës, analistët i shohin si sulme politike ndaj 2 liderëve kryesorë të opozitës.

“Do të ishte një rënie e shtetit nëse provohet se një person që ka qenë ish-president, ish-kryeministër dhe ish-kryetar kuvendi do të rezultonte ish-bashkëpunëtor, ndaj e shoh më shumë si politike”, shtoi Dervishi.

Nismat ligjore të mazhorancës me sa duket nuk i shqetësojnë Berishën dhe Metën të cilët kanë paralajmëruar se së shpejti do të zyrtarizojnë edhe detajet e koalicionit mes tyre.