Kriza e energjisë, HEC-et publike prodhuan vetëm 1/3 e konsumit

Publikuar më: 31/8/2022, ora 13:41

Kriza e energjisë, HEC-et publike prodhuan vetëm 1/3 e konsumit

Publikuar më: 31/8/2022, ora 13:41

Një rënie e fortë e prodhimit dhe varësi më e madhe nga importi. Kështu përmblidhet situata energjetike e vendit gjatë tre muajve prill, maj dhe qershor.

Ndryshe nga një vit më parë, kur niveli i kaskadës qëndronte i lartë falë reshjeve të bollshme, këtë vit moti i thatë bëri që prodhimi të ishte ndjeshëm më i ulët se mesatarja historike.

HEC-et publike prodhuan në tremujorin e dytë 631 GWh energji elektrike, nga 1,556 GWh vitin e shkuar. Kjo shifër përbën vetëm 1/3 e konsumit dhe pjesa tjetër e nevojave të vendit u kompensua me blerje nga prodhuesit privatë vendas, si dhe nga importi.

Në total, importi neto i energjisë ishte 248 GWh, ndërsa vitin e shkuar ishin eksportues neto, pra kompanitë publike në këtë periudhë vjet fituan nga shitja e energjisë.

Ndërsa bie në sy, se prodhimi nga panelet diellore është rritur në mënyrë minimale, duke zënë vetëm 0.8% të totalit të energjisë vendase.

Të ndikuar edhe nga kriza e përgjithshme e çmimeve, përdorimi i energjisë u ul lehtë për periudhën me 2% më pak, si nga konsumatorët familjarë, ashtu edhe nga bizneset. Ndërsa aktualisht, qeveria ka nisur një fushatë ndërgjegjësuese për të kursyer, në mënyrë që të mos rrezikohet furnizimi në dimër.