NASA, përpjekje të re për të nisur raketën në Hënë

Publikuar më: 31/8/2022, ora 09:10
nasa 3 1280x720

NASA, përpjekje të re për të nisur raketën në Hënë

Publikuar më: 31/8/2022, ora 09:10

NASA do të bëjë përpjekjen e dytë të shtunën, më 3 shtator, për të nisur raketën e saj të re Space Launch System (SLS) drejt Hënës.

Përpjekja e parë më 29 gusht për të nisur këtë raketë në Hënë, u anulua për shkak të problemeve teknike në njërin prej motorëve.

Pas mbledhjes së të dhënave, inxhinierët thanë se tani besojnë që e kanë kuptuar se pse njëri nga katër motorët e raketës nuk arriti të ftohej në temperaturën e kërkuar për operim. Inxhinierët thanë se kanë krijuar një strategji për t’u përballur me këtë problem, gjatë tentimit të dytë për nisjen e raketës.

“Ne kemi një plan që duhet të ndjekim, në mënyrë që të mund të arrijmë synimin”, tha John Honeycutt, i cili menaxhon projektin e raketës së NASA-s, SLS.

Lëshimi i raketës të shtunën, do të ndodhë në orën 14:17, me orën lokale. Raketa do të lëshohet nga Qendra Ajrore Kennedy në Florida.

Inxhinierët do të kenë dy orë kohë për të lançuar raketën nga Toka.

Raketa SLS është mjeti më i madh që ka zhvilluar ndonjëherë NASA. Kjo raketë do të dërgojë kapsulën e quajtur Orion në Hënë, fillimisht pa ekuipazh. Por, programi i ri i NASA-s, Artemis, synon që më pas të dërgojë njerëz në Hënë.

Kapsula Orion do të jetë në një mision 42-ditor rreth Hënës, përpara se të niset drejt Tokës dhe të përfundojë në Oqeanin Paqësor, afër Kalifornisë.

Objektivi kryesor i këtij fluturimi testues është që të shikohet nëse mbrojtja e kapsulës mund t’i mbijetojë temperaturave të larta me të rihyrë në atmosferën e Tokës.

NASA tha se misionet drejt Hënës janë pjesë e programit të saj për të mësuar më shumë se si të arrihet në planetin Mars.