“Nuk përmbushi objektivat”, shkarkohet Gledis Nano

Publikuar më: 31/8/2022, ora 10:09

“Nuk përmbushi objektivat”, shkarkohet Gledis Nano

Publikuar më: 31/8/2022, ora 10:09

Zërave për dorëheqjen e Gledis Nanos nga drejtimi i Policisë së Shtetit i dha fund vetë ministri i Brendshëm, Bledi Cuçi, i cili njoftoi se kryepolici është shkarkuar.

“Sot qeveria mori vendim për shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Policisë, shkarkim i cili lidhet me mospërmbushjen e objektivave që kishim vënë në lidhje me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe kryesisht lidhet me situatën e krijuar në muajt e fundit, situatë që normalisht kërkon një reagim më të fortë dhe një menaxhim më efikas të Policisë së Shtetit. Për momentin, detyrat do t’i ushtrojë nëndrejtori i përgjithshëm i Policisë dhe shumë shpejt besoj që do t’ju lajmërojmë dhe për emërimin e drejtorit të ri të Policisë së Shtetit”, deklaroi Çuçi.

I pyetur nga gazetarët nëse ndjen përgjegjësi personale për situatën kriminale në vend, Çuçi u përgjigj me arsyetimin e Këshillit të Ministrave: “Pa diskutim, ka shkallë përgjegjësie, deri tani Këshilli i Ministrave, Qeveria, ka menduar që ndryshimi i menaxhimit nëpërmjet shkarkimit të tij është masë efikase për të pasur një reagim më të fortë të policisë në luftën kundër krimit”.

Vendin e Nanos, përkohësisht do ta zërë Tonin Vocaj, dëri në emërimin e drejtorit të ri.

Ndërkohë, Çuçi njoftoi për emërimin e Oltjon Kanushit si nëndrejtor të SHISH-it.

Në mbledhjen e qeverisë u njoftua dhe shkarkimi nga posti i zëvendësministrit të Infrastrukturës, i ish-kryepolicit Ardi Veliu. Nga detyra është liruar dhe zëvendësministrja e Mbrojtjes, Dallëndyshe Bici.