Rikthehet bukurshkrimi, më shumë rëndësi drejtshkrimit dhe leximit

Publikuar më: 31/8/2022, ora 15:42

Rikthehet bukurshkrimi, më shumë rëndësi drejtshkrimit dhe leximit

Publikuar më: 31/8/2022, ora 15:42

Në klasat e para rikthehet bukurshkrimi i shqipes, një rubrikë që ka munguar prej vitesh në shkollat shqiptare. Programi I ri i abetares së përbashkët i kushton rëndësi të veçantë leximit, drejtshkrimit dhe bukurshkrimit të gjuhës amtare. Gjuhëtarja Mimoza Gjokutaj, bashkëautore e Abetares së Përbashkët tregon për A2CNN disa nga  të reja e tekstit fitues.

“Ne kemi bërë kujdes të shtojmë disa rubrika të cilat kanë të bëjnë më bukurshkrimin, më diktimin, më kopjimin, më të shkruarin e kuptimshëm. Kur fëmija fillon të shkruajë atë që mendon ai është bërë lexues dhe shkrues i mirë. Prej vitesh më kanë thënë, zysh Moza ku ka shkuar bukurshkrimi? Nuk është se nuk e kemi pasur në vëmendje, por tani e kemi rubrikë më vete, ku fëmijës i duhet dhe të shkruajë bukur. Pavarësisht se kemi kompjuterin dhe shkruajmë aty, çdo individi i duhet të ketë identitetin e tij edhe në të shkruar dhe këtë e mësona abetarja që në hapat e para”, thotë ajo.  

Mimoza Gjokutaj

Si bashkëautore edhe e Abetares së parë mbarëkombetare, e cila u aplikua për 10 vjet në shkollat shqipe, Gjokutaj tregon ndryshimin nga teksti i ri fitues. Nga ky shtator , fëmijët shqiptarë do ta mësojnë A B C përmes lojës, ushtrimeve, temave edukative dhe imazheve më tërheqëse.

Abetarja e re, thotë gjuhëtarja,  synon të zhvillojë leximin dhe mendimin kritik të fëmijëve. Abetarja do të jetë e shoqëruar më fletoren e punës e cila në këtë model zë një vend të rëndësishëm për mësimin e shqipes. Ndërsa mësuesit do të kenë tekstin e tyre orientues për të punuar si duhet programin e ri. Abetarja e njësuar do të jetë edhe në platforme digjitale e cila do të shërbejë për të gjithë fëmijët në trevat shqipfolëse.