Autoriteti i Dosjeve reagon pas padisë së Metës: E pabazuar, dashakeqe dhe fyese

Publikuar më: 1/9/2022, ora 18:01
meta 2 1262x720

Autoriteti i Dosjeve reagon pas padisë së Metës: E pabazuar, dashakeqe dhe fyese

Publikuar më: 1/9/2022, ora 18:01

Me anë të një deklarate për mediat, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, ka reaguar pas padisë së Ilir Metës.

Meta dorëzoi një padi këtë të enjte ndaj anëtarëve të Autoritetit të Dosjeve duke i akuzuar ata për manipulim. Ndërkohë, ky institucion e vlerëson si të pabazuar këtë padi të Metës, madje thekson se është dashakeqe ndaj institucionit dhe fyese për dinjitetin e secilit prej anëtarëve.

“Autoriteti është i hapur të bashkëpunojë me institucionet ligjzbatuese e të gjithë të interesuarit, dhe fton institucionet të kryejnë detyrën mbi materialet që administron me ligj, që prej krijimit të tij.

Autoriteti garanton publikun për kryerje me integritet, përgjegjësi profesionale dhe jashtë ndikimit politik të veprimtarisë së tij për ushtrimin e së drejtës nga çdo i interesuar për informimin mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, nëpërmjet një procesi demokratik dhe transparent, mbrojtjes së personalitetit të individit, si dhe unitetit e pajtimit kombëtar.

Çdo veprimtari e Autoritetit është e bazuar në akte ligjore dhe nënligjore, në vendimmarrje kolegjiale, e shoqëruar me dokumentacion të protokolluar, lehtësisht e verifikueshme në çdo kohë.

Autoriteti administron dokumentacion arkivor në bazë të ligjit nr.45/2015 i ndryshuar, ligjit për arkivat dhe ligjit për informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror”. Në të gjitha rastet, ndiqet  procedura e mirëpërcaktuar e deklasifikimit –  sipas VKM nr. 662/2017 “Për miratimin e rregullores për deklasifikimin dhe zhvlerësimin e informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror”, – që dokumentohet imtësisht, hap pas hapi me shkresa përcjellëse, bibliografia e së cilës publikohet në faqen zyrtare të institucionit, në Fletoren Zyrtare dhe nga DSIK, institucioni i specializuar për sekretin shtetëror.

Autoriteti siguron qytetarët shqiptarë për standardin maksimal të sigurisë së dokumentacionit të administruar prej tij. Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit trajtohen në zonat e sigurisë dhe vetëm nga personat e autorizuar sipas ligjit, ku respektohen të gjitha procedurat që kanë të bëjnë me protokollin e hyrje/daljeve në mjediset e arkivit; kontrollin e ambienteve ku ruhen dokumentet; dhënien për shfrytëzim të dokumenteve arkivore; regjistrimin në regjistrat përkatës duke evidentuar të dhënat e dokumenteve të shërbyera; punonjësin që i merr, si dhe kohën e marrjes dhe kthimit të dokumenteve, në zbatim të legjislacionit në fuqi për informacionin e klasifikuar dhe sigurinë fizike; sigurimin e kontrollit mbi hyrjen dhe daljen nga hapësirat zyrtare për qëllime sigurie, me kamera sigurie, të cilat monitorojnë çdo mjedis 24 orë, në shtatë ditë të javës.

Autoriteti garanton autenticitetin dhe integritetin e çdo dokumenti. Materialet arkivore vihen në dispozicion, në zbatim të ligjit nr.45/2015 i ndryshuar, duke mbrojtur të dhënat personale. Versioni origjinal ruhet në arkivin e Autoritetit.

Autoriteti është i bindur në vlerën dhe impaktin publik të ndryshimeve ligjore, të paraqitura e kërkuara në mënyrë të përsëritur Kuvendit të Shqipërisë, (në nëntor 2018, shkurt 2020, korrik 2022) për shfuqizimin e nenit 29, pika 4 të ligjit nr. 45/2015, i ndryshuar, mbi komisionet “Mezini”-“Bezhani” dhe për ndërhyrje në Kodin Zgjedhor, për angazhim gjithëpërfshirës të subjekteve politike, për zbatimin e nenit 30 të ligjit 45/2015, i ndryshuar”, mbyllet reagimi.