Kritikoi luftën në Ukrainë, vdes shefi i naftës ruse pasi u rrëzua nga dritarja e spitalit

Publikuar më: 1/9/2022, ora 11:14

Kritikoi luftën në Ukrainë, vdes shefi i naftës ruse pasi u rrëzua nga dritarja e spitalit

Publikuar më: 1/9/2022, ora 11:14

Ravil Maganov, president i kompanisë ruse të naftës Lukoil, humbi jetën pasi ra nga dritarja në Klinikën Qendrore Spitalore në Moskë, disa muaj pasi kompania e tij kritikoi pushtimin e Putinit në Ukrainë.

Kjo u raportua nga një burim për Interfax.

“Maganov ka rënë nga dritarja e dhomës së tij të spitalit, mëngjesin e sotëm. Nga plagët e marra ka ndërruar jetë”, ka shpjeguar burimi, duke shtuar se forcat e policisë ishin në vendngjarje dhe po punonin për të përcaktuar shkakun e incidentit të 67-vjeçarit.

Interfax saktëson se për momentin nuk ka asnjë konfirmim zyrtar të lajmit.

Lukoil, i cili është prodhuesi i dytë më i madh i naftës në Rusi, ishte një nga kompanitë e pakta në vend që doli në kundërshtim me luftën në Ukrainë.

Në një deklaratë të kompanisë në mars thuhet: “Duke bërë thirrje për përfundimin sa më të shpejtë të konfliktit të armatosur, ne shprehim ndjeshmërinë tonë të sinqertë për të gjitha viktimat, të cilat janë prekur nga kjo tragjedi.

“Ne mbështesim fuqimisht një armëpushim të qëndrueshëm dhe një zgjidhje të problemeve përmes negociatave serioze dhe diplomacisë.”

Maganov kishte punuar në Lukoil që nga viti 1993, menjëherë pas krijimit të kompanisë dhe kishte mbikëqyrur rafinimin, prodhimin dhe eksplorimin e saj, duke u bërë kryetar në vitin 2020. Vëllai i tij Nail, është kreu i prodhuesit të mesëm rus të naftës Tatneft.

Ravil Maganov ishte një bashkëpunëtor i ngushtë i një prej themeluesve të Lukoil, Vagit Alekperov, i cili dha dorëheqjen si president i Lukoil në prill, një javë pasi Britania e Madhe vendosi një ngrirje të aseteve dhe ndalim udhëtimi ndaj tij, si pjesë e sanksioneve në përgjigje të luftës.