Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Meta dorëzon kallëzimin për Autoritetin e Dosjeve

Nga A2 CNN
1 Shtator 2022, 11:46 | Politikë
Meta dorëzon kallëzimin për Autoritetin e Dosjeve

Ilir Meta ka dorëzuar kallëzimin e paralajmëruar ndaj Autoritetit të Dosjeve, të cilin e akuzon zyrtarisht për 6 vepra penale.

“Sot kam kallëzuar penalisht anëtarët e Autoritetit të Dosjeve për shkeljet e rënda dhe të qëllimshme që i kanë bërë ligjit organik për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, për manipulimet dhe falsifikimet flagrante në shërbim të shantazhit politik, për llogari të Edi Ramës. Për më shumë detaje, do të zhvilloj një konferencë shtypi në funksion të transparencës para të gjithë qytetarëve shqiptarë”, tha Meta në një postim në Facebook.

Në SPAK, Meta ka paditur kryetaren e Autoritetit, Gentiana Sula, si dhe anëtarët Albert Nikolla, Altin Hoxha, Gjergj Marku dhe Skënder Vrioni.

Akuzat ndaj anëtarëve të Autoritetit të Dosjeve

1. Falsifikim i dokumenteve shtetërore

2. Falsifikim kompjuterik

3. Falsifikim i vulave, i stampave ose formularëve

4. Shpërdorim detyre

5. Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik

6. Zbulim i akteve ose të dhënave sekrete

“Ata janë kthyer në vegla për të stisur dhe ekzekutuar një sulm politik të shëmtuar, me pasoja të rënda edhe për besimin e publikut në institucionet shtetërore dhe funksionimin e shtetit të së drejtës”, thotë Meta në kallëzimin e tij drejtuar SPAK.

Disa javë më parë, gjatë një seance në Komisionin e Ligjeve, kryetarja e Autoritetit të Dosjeve kërkoi ndryshime ligjore, në mënyrë që të kishte mundësi që të riverifikonte emrat e funksionarëve shtetërorë që edhe pse e ishin pajisur më parë me certifikatën e pastërtisë së figurës, rezultonin me probleme. Si shembull për këtë ajo u tregoi deputetëve një dokument ku shkruhej se ish-presidenti, Ilir Meta, kishte qenë i përfshirë në Sigurimin e Shtetit gjatë periudhës së diktaturës komuniste. Meta i hodhi poshtë akuzat.

https://a2news.com/2022/07/30/meta-e-zgjodhi-genta-sulen-rama-mbron-autoritetin-e-dosjeve-te-ndryshoje-dhe-dekriminalizimi/
https://a2news.com/2022/07/29/meta-ne-dokumentet-e-ish-sigurimit-ps-propozon-ndryshime-per-ligjin-e-dosjeve/

A2 CNN Livestream

Dita jonë