Nis zbatimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi, qytetarët në kufi: Për targat mbesim ngjit dhe shqit

Publikuar më: 1/9/2022, ora 17:12

Nis zbatimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi, qytetarët në kufi: Për targat mbesim ngjit dhe shqit

Publikuar më: 1/9/2022, ora 17:12

Vetëm një kartë identiteti. Kaq mjafton që qytetarët e Kosovës dhe ata të Serbisë të kalojnë nëpër pikat kufitare respektive. Kështu nisi dhe zbatimi i ujdisë për pranimin e letërnjoftimeve duke i dhënë fund një mosmarrëveshjeje të gjatë dhe hequr një pengesë të madhe për udhëtarët, të cilët para 1 shtatorit duhej të pajiseshin me një sërë dokumentesh për të kaluar në anën tjetër. Situata në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë ishte e qetë, ndërsa prania e shtuar e trupave të KFOR-it në veri është një garanci për shmangien e tensioneve apo bllokadave.

“Mua më kanë kërkuar vetëm kartën e identitetit dhe nuk pata asnjë problem”, tha një udhëtar. Për çështjen e targave, një zgjidhje nuk duket në horizont. Udhëtarët nga të dyja vendet po detyrohen ende që të vendosin ngjitëse për të mbuluar simbolet shtetërore të Kosovës apo Serbisë, nëse duan të kalojnë kufirin. Gjithashtu këtë 1 shtator, nisi të zbatohej dhe një tjetër vendim i qeverisë së Prishtinës, ai i ndërrimit të targave të lëshuara në të kaluarën nga Serbia. “Nuk ka asnjë ndryshim, siç ka qenë ashtu vazhdon. Vendosim ngjitësit te targat dhe kaq”, tha një udhëtar tjetër. “Pak e komplikuar është ç’të të them, ngjit dhe shqit ngjitëset tek targat”.

Për të bindur serbët e Kosovës që ta respektonin këtë vendim, ndërhyri vetë kryeministri Albin Kurti me anë të një videomesazhi në gjuhën serbe. “Në Kosovë janë gjithsej 401.945 vetura me targa RKS. Prej tyre dhjetëra mijëra janë me pronarë të komuniteteve pakicë. Ato që duhet të konvertohen përbëjnë vetëm rreth 2% të tyre. Ato targa janë trashëgimi i regjimit të Millosheviçit. Kjo trashëgimi është një barrë që nuk duhet ta mbani ju. Përveç kësaj, ajo po synon t’ju mbajë në të kaluarën dhe të izoluar”, tha Kurti.

Sakaq qytetarët e Kosovës në Mitrovicën e Veriut, për mikrofonin e A2 CNN shprehen se ka ardhur koha që paqja të mbizotërojë dhe që e kaluara të hidhet pas krahëve.