Panairi i verës në Beograd, Vuçiç: Hapa të mëdhenj do të vijnë më pas, “Ballkani i hapur” do të bëhet më tërheqës

Publikuar më: 1/9/2022, ora 13:52
vucic 1 1280x720

Panairi i verës në Beograd, Vuçiç: Hapa të mëdhenj do të vijnë më pas, “Ballkani i hapur” do të bëhet më tërheqës

Publikuar më: 1/9/2022, ora 13:52

Beogradi është kryeqyteti i verës sot. Kështu u shpreh presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në fjalën e tij në çeljen e panairit 4-ditor të verës që po mbahet në kryeqytetin serb në kuadër të “Ballkanit të hapur”. Ai shprehu kënaqësinë që ky panair është realizuar së bashku me vendet e tjera të kësaj nisme dhe ftoi qytetarët e Beogradit të vijnë dhe ta degustojnë në këto ditë të panairit. Kreu i shteti serb vlerësoi strategjinë e “Ballkanit të hapur” dhe paralajmëroi hapa të mëdhenj pas këtij panairi.

“Është një ditë e shkëlqyer për të gjithë ne sot. E kemi arritur këtë të gjithë së bashku. Unë jam verëdashës dhe kam vizituar shumë panaire, por kemi bërë diçka për t’u ndjerë krenarë. Mund të jemi më mirë në fusha të tjera të jetës shoqërore dhe fusha të tjera jam i lumtur që ia dolëm së bashku dhe pse shtatori është muaj sfidues. Të kesh të gjithë këta prodhues verërash këtu dhe përfaqësues nga më shumë se 42 vende, nuk është gjë e vogël. Jam i lumtur dhe ju përgëzoj të gjithëve. Ftoj qytetarët e Beogradit dhe Serbisë që të vijnë dhe të degustojnë verërat më të mira se kemi prodhues fantastikë që janë këtu. Beogradi është kryeqyteti i verës sot. Kultura e verës i mbledh njerëzit bashkë dhe ky është i prekshëm për strategjinë e Ballkanit dhe hapa të mëdhenj do të vijnë më pas”.

Në fjalën e tij, Vuçiç iu përgjigj edhe kritikëve të nismës së Ballkanit të Hapur dhe theksoi se ai do të bëhet më tërheqës edhe për vendet e tjera.

“Ideja jonë, ka pasur nga ata që kanë qenë kundër kësaj dhe ka pasur kritikë dhe nga ata që kanë dashur të gjejnë gjilpërën në kashtë, për arsye politike shumë njerëzve nuk u pëlqeu kjo ide, por është në interesin tonë dhe askush nuk e ndal këtë. Ballkani i Hapur nuk i ka sjellë asgjë të keqe askujt, por ka sjellë vetëm gjëra të mira për njerëzit dhe popujt tanë dhe ne do të vazhdojmë të punojmë më me zell për ta bërë më tërheqës dhe për të tjerë”.

Panairi Ndërkombëtar i Verës do të ekspozohet për 4 ditë në kryeqytetin serb dhe do të mirëpresë prodhuesit më të mirë të verës në rajon. Në panair do të prezantojnë produktet e tyre edhe kompani europiane dhe botërore, lider në vreshtari dhe prodhimin e verës. Më shumë se 250 ekspozues nga  Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, si dhe nga Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Sllovenia, Hungaria, Italia, Spanja, Franca, Turqia, Argjentina, Kalifornia, Afrika e Jugut, etj, do të jenë pjesë e tij.

Panairi i Verës që është titulluar “Vizioni i Verës”, është organizuar nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut në kuadër të nismës së Ballkanit të Hapur. Në pamje duket se Rama është ulur pranë presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviç.