BE i kërkon Prishtinës t’u japë kohë serbëve për targat e reja

Publikuar më: 2/9/2022, ora 07:53
targat serbe 1280x720

BE i kërkon Prishtinës t’u japë kohë serbëve për targat e reja

Publikuar më: 2/9/2022, ora 07:53

Bashkimi Europian kërkoi që Prishtina t’i japë mjaftueshëm kohë serbëve që jetojnë në veri të Kosovës, për të implementuar targat e reja dhe të ndërrojnë licencat e makinave të tyre me ato të Kosovës, deri më 31 tetor.

“Është e rëndësishme që të jepet kohë e mjaftueshme për implementimin e këtij plani, përfshirë edhe urdhrin që serbët etnikë që jetojnë në veri të Kosovës të ndërrojnë edhe licencat e automjeteve të tyre dhe që të përgatiten qytetarët, sipas praktikave më të mira europiane”, u shpreh zëdhënësja e shefit për politikë të jashtme në BE, Nabila Massrali.

Në ditën kur në veri hyri në fuqi reciprociteti për çështjen e targave për një periudhë 61-ditore, Kosova kërkon që serbët të pranojnë autoritetin e Prishtinës në çështjet rutinë burokratike, kërkesë kjo e ripërsëritur nga autoritetet që nga shpallja e pavarësisë së saj në 2008. Por këtë, edhe njëherë, BE-ja synon ta arrijë vetëm përmes dialogut.

“Ne i kërkojmë të dyja palëve që të ulen në dialog, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, si e vetmja platformë për të adresuar e për të zgjidhur të gjitha çështjet e mbetura të hapura mes tyre, si edhe ajo e targave”, shtoi Nabila Massrali.

Serbia ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe serbët që jetojnë në veri, konsiderojnë Beogradin, si kryeqytetin e tyre dhe jo autoritetet e Prishtinës.