Shmanget atentati, braziliani i drejton armën zëvendëspresidentes argjentinase, por i bllokohet

Publikuar më: 2/9/2022, ora 07:39

Shmanget atentati, braziliani i drejton armën zëvendëspresidentes argjentinase, por i bllokohet

Publikuar më: 2/9/2022, ora 07:39

Mund të konsiderohet një mrekulli. Zëvendës presidentja e Argjentinës i shpëtoi një atentati për vrasjen e saj pasi një person i doli para duke i drejtuar një pistoletë në fytyrë. Pamje të publikuara në rrjete sociale shfaqin momentet tmerruese kur Cristina Fernandez de Kirchner, e rrethuar nga mbështetësit e saj, e gjeti veten ballë për ballë me një armë të mbushur, e cila shkrepet nga agresori, por që fatmirësisht nuk qëllon.

Ish-presidentja argjentinase po kthehej në shtëpi nga gjykata, ku përballet me akuza për korrupsion. Ajo mohon që në këtë çështje të ketë bërë diçka në shkelje me ligjin.

Policia argjentinase njoftoi se autori, të cilin mediat lokale e identifikuan si një 35-vjeçar nga Brazili, është arrestuar dhe marrë në pyetje. Një hetim është hapur lidhur me atentatin për vrasje dhe po tentohet zbardhja e motiveve të sulmit ndaj populistes së majtë, e cila ka qenë president e Argjentinës nga viti 2007 deri në 2015-ën, dhe zonjë e parë për 4 vite përpara kësaj periudhe.

Presidenti i vendit, Alberto Fernandez, zbuloi se arma ishte e mbushur me 5 fishekë. “Cristina mbeti gjallë për shkak të një motivi që duhet të konfirmohet nga ana teknike: arma, e cila kishte pesë fishekë, nuk qëlloi edhe pse këmbëza u shkrep”, tha ai.

Presidenti argjentinas dënoi sulmin dhe tentativën për vrasjen e zonjës Fernandez e konsideroi “incidentin më serioz që pas kthimit të demokracisë në vend në vitin 1983”. Ajo që ndodhi ka shokuar mbarë opinionin publik, ndërsa është dënuar edhe nga politikanët vendas dhe ata të vendeve fqinje të Argjentinës.