Dështoi në mars, Lefter Koka kërkon sërish lirinë në Gjykatën e Lartë

Publikuar më: 2/9/2022, ora 15:54

Dështoi në mars, Lefter Koka kërkon sërish lirinë në Gjykatën e Lartë

Publikuar më: 2/9/2022, ora 15:54

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, troket edhe njëherë në Gjykatën e Lartë për të kërkuar liri nga qelitë e burgut. Këtë radhë ish-ministri, që qëndron në paraburgim prej dhjetorit të vitit të kaluar, kërkon prishje të masës së sigurisë “arrest më burg” caktuar ndaj tij nga dy shkallët më të ulëta të gjyqësorit për akuzat e ngritura ndaj tij në lidhje me inceneratorin e Fierit.

Në këtë dosje Koka akuzohet për “korrupsion”, “shpërdorim detyre” dhe “pastrim të parave”. Ndër të tjera argumente për një masë më të butë sigurie në gjykatën e Lartë Koka ka parashtruar edhe problemet shëndetësore. Çështja është regjistruar më 1 shtator dhe ka për relator gjyqtarin Mehdi Bici, ndërkohë që ende nuk është caktuar një datë për shqyrtimin e saj.

Së bashku me të, Gjykata e Lartë do të shqyrtojë kërkesat për zbutje të masës së sigurisë të dhënë nga Gjykata e Posaçme edhe 4 te dyshuar të tjerë të dosjes. Me herët Koka ka dështuar në përpjekjen e tij në Gjykatën e Lartë për të zbutur masën tjetër të sigurisë “arrest në burg” për hetimin e inceneratorit të Elbasanit. Në arsyetimin e vendimit të 31 marsit 2022 Gjykata e Lartë theksonte se  në liri, ish-ministri mund të përfshihej në krime të rënda, ose të njëjta me ato për të cilat është nën hetim.

Sipas SPAK, ish-ministri i mjedisit dyshohet se ka përfituar 3,7 milionë euro ryshfet gjatë procedurës koncensionare të ndërtimit të inceneratorit të Elbasanit dhe për gati 1,2 milionë euro ryshfet në rastin e inceneratorit të Fierit.