Drogë me postë nga Belgjika, arrestohen dy persona

Publikuar më: 2/9/2022, ora 13:00
FEMIJET NE KONFLIKT ME LIGJIN frame 3011 1280x720

Drogë me postë nga Belgjika, arrestohen dy persona

Publikuar më: 2/9/2022, ora 13:00

Dy persona u arrestuan pasi u kapën në flagrancë sapo tërhoqën nga Dega Postare Durrës, pakon me kanabis ne formë çokollate, të ardhur nga Belgjika.

“Në vijim punës intensive policore dhe hetimore, me qëllim goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, në kuadër të hetimit proaktiv të zhvilluar nga Prokuroria e Tiranës, strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim të vazhdueshëm me strukturat e sigurisë së Postës Shqiptare dhe DVP Durrës, bënë të mundur organizimin dhe finalizimin me sukses të operacionit policor të koduar “Green mail 3”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit: E. H., 22 vjeç dhe E. H., 28 vjeç, të dy banues në Durrës, pasi u kapën nga shërbimet e DVP Durrës, menjëherë sapo kanë tërhequr nga Dega Postare Durrës, pakon me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, në formë çokollate, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me një automjet tip “Hyundai” dhe 2 aparate celulare”, tha Policia.

Nga veprimet hetimore rezulton se shtetasit e arrestuar, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë trafikuar nëpërmjet postës, pakon me kanabis, nga Belgjika në drejtim të Shqipërisë. Vijon puna nga Njësia për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale të Policisë së Shtetit, për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në të.

Ky është operacioni i tretë policor i finalizuar brenda 3 muajve të fundit, për goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike nëpërmjet postës, nga shtete të ndryshme. “Green mail” u finalizua më 30 qershor 2022 dhe rezultoi me sekuestrimin e rreth 1.3 kilogramëve kanabis, të sjella nga Mbretëria e Bashkuar dhe vënien në pranga të 2 shtetasve, ndërsa “Green mail 2”, u finalizua më 18 gusht të po këtij viti dhe si rezultat i tij u sekuestruan 2 pako me kanabis, të sjella gjithashtu nga Mbretëria e Bashkuar, si dhe u vunë në pranga 2 shtetas të tjerë.