“Energjia do t’i kushtojë buxhetit shqiptar 500 milionë euro”, Rama: BE-ja mos të bëj gabimet e pandemisë

Publikuar më: 2/9/2022, ora 14:07

“Energjia do t’i kushtojë buxhetit shqiptar 500 milionë euro”, Rama: BE-ja mos të bëj gabimet e pandemisë

Publikuar më: 2/9/2022, ora 14:07

Në konferencën përfundimtare për shtyp në Beograd, kryeministri shqiptar Edi Rama, ritheksoi rëndësinë e iniciativës rajonale ”Open Ballkan”, duke cilësuar takimin në Serbi si më të rëndësishmin.

“E ritheksoj që dje ka qenë dita më e bukur e Ballkanit të Hapur, dhe mund të kishte qenë një ditë e keqe. Në vend se të hapnim dyert për njerëzit e punës dhe të prodhimit, mund t’i kishim hapur dyert një lajmi të keq për tension dhe rrezik lufte. Fatmirësisht ndodhi e para, kjo është zgjedhja që kemi bërë, të shohim përpara, të afrohemi dhe të kuptojmë sa më mirë njëri-tjetrin, dhe gjërat që kemi për të zgjidhur t’i zgjidhim me durim, pa harruar gjërat për të cilët duhet të bashkëpunojmë”, deklaroi kryeministri.   

Rama ndaloi edhe të problematika kryesore që liderët e Ballkanit dhe në përgjithësi të Bashkimit Europian duhet të përballen në muajt në vijim.

“Ky dimër, ka gjasë të jetë më i vështiri që kemi hasur në këto vite, ka plane në Europë që përfshijnë mbylljen e dritave pas orës 10, që do të thotë mbyllje aktivitetesh, njësoj si në kohën e pandemisë, por kësaj radhe për energjinë elektrike. Kemi diskutuar sesi do të bashkëpunojmë, dhe do të jenë hapa konkrete. Në Shqipëri kemi marrë një vendim, që nuk e di a është i çmendur, për mos të prekur çmimin për konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël, kemi mbajtur çmimin që ishte përpara se të shfaqej kriza. Por kjo do të thotë qindra miliona euro për të mbuluar koston. Çështja është sa gjatë do të vazhdojë kjo histori, ndërkohë që mund të kesh paratë, por jo energjinë, prandaj bëhen këto bashkëpunime”, ishin fjalët e tij.

Ndihma e Bashkimit Europian është e domosdoshme, por kryeministri edhe një herë “thumboi” Brukselin, duke e ftuar që mos të përsërisë me Ballkanin Perëndimor gabime të mëparshme.  

“I kërkoj BE-së që mos të bëj me ne turpin që bëri në kohën e pandemisë, kur u detyruam të kërkojmë në Kine, dhe e kanë pranuar vetë liderët e BE-së. Do t’i kërkojmë BE-së mbështetje ekstra, parashikimet e kostove janë marramendëse, për Shqipërinë arrijnë afër 500 milionë euro për të mbajtur sistemin dhe të vazhduar furnizimin me energji, shpresoj që BE të na dëgjohen dhe të jemi edhe ne pjesë”, deklaroi Rama, që shtoi se një nga marrëveshjet ka të bëj me ngritjen e Agjencisë së Ballkanit të Hapur për Investimet e Huaja, që sipas tij do të jetë “ombrella” e agjencive të vendeve pjesëmarrëse.