“Kosova refuzon në mënyrë konstante”. Rama: Mos u çuditni që edhe një nga të mëdhenjtë të kërkojë të na bashkohet

Publikuar më: 2/9/2022, ora 14:04
2 SHTATOR 2022 OPEN BALKAN 2 frame 64338 1280x720

“Kosova refuzon në mënyrë konstante”. Rama: Mos u çuditni që edhe një nga të mëdhenjtë të kërkojë të na bashkohet

Publikuar më: 2/9/2022, ora 14:04

Kryeministri Edi Rama tha se marrëveshja për dokumentet mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte arritur me kohë, nëse Kosova do të ishte pjesë e Ballkanit të Hapur.

“Nëse Kosova do të ishte ulur në tryezë dhe nuk do të refuzonte në mënyrë konstante, kjo çështje do të ishte zgjidhur me kohë. Nuk thashë që e ka zgjidhur kjo treshe, as që Shqipëria apo unë kemi luajtur ndonjë rol, thash thjesht këtë. Është kjo frymë, kjo rrugë, këto parime të Ballkanit të Hapur që po jetësohen dita-ditës. Marrëveshja me Kosovën ka konfirmuar qasjen e Presidentit Vuçiç në raport me lëvizjen e njerëzve”, tha Rama gjatë një konference për mediat, pas nënshkrimit të disa marrëveshje me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut në kuadër të Ballkanit të Hapur.

Kryeministri tha se përveç përfaqësuesve të Turqisë dhe Hungarisë, në këtë samit ishin ftuar edhe ministrat e Jashtëm të Italisë dhe Greqisë. “Do të vazhdojmë të mirëpresim të gjithë. Ne kemi ftuar Turqinë, Greqinë, Italinë dhe Hungarinë. Dhe e kemi bërë publike këtë gjë. Greqia dhe Italia munguan për arsye objektive. Në Tiranë do të ftojmë edhe të tjerë, se do të duan edhe të tjerë. Mos u çuditni që një ditë edhe një nga këta të mëdhenjtë të thotë: “A mund të vij dhe unë?”. Pse të mos vijë? Janë takime shumë më pozitive sesa ato që zhvillohen në Bruksel”, tha Rama.