Sondazh: Si ka ndryshuar figura e babait në familje ndër vite?
  • Më i pranishëm me fëmijët 14%
  • Më i zënë në punë 71%
  • Ndihmon në shtëpi 14%

Rama: Mbi 1 milion dokumente të Perandorisë Osmane kthehen në Shqipëri

Nga A2 CNN
2 Shtator 2022, 10:16 | Aktualitet
Rama: Mbi 1 milion dokumente të Perandorisë Osmane kthehen në

Mbi 1 milion dokumente të Arkivit të Perandorisë Osmane me qendër në Stamboll, janë kthyer në Shqipëri duke u bërë pjesë e fondit të Arkivës së Shtetit.

Lajmin e ka dhënë kryeministri Edi Rama, në një postim në rrjetet sociale, që e konsideron “lajm të bukur, ardhjen përgjithmonë në vendin tonë të të gjitha dokumenteve mbi Shqipërinë dhe shqiptarët nga arkivat perandorake të Stambollit”.

Dokumentet e marra nën zotërim në trajtë digjitale mbulojnë veprimtarinë politike dhe shoqërore të shqiptarëve përgjatë sundimit osman pesëshekullor.

Mes tyre gjenden vendime dhe dekorime të personaliteteve të ndryshme, siç është kërkesa për ngritjen në grada të Mahmut Pashës; informacione mbi përplasjet politike midis prijësve në hapësirën shqiptare, sikurse konflikti mes Ali Pashës dhe Ibrahim Pashës; evidenca mbi mësimin e shqipes në Vlorë dhe në Shkup; informacione mbi dinastitë e qyteteve shqiptare; të dhëna mbi lëvizjet nacionale shqiptare, greke, serbe etj., dhe dokumente të karakterit religjioz.

Gjithashtu, pjesë e këtyre dokumenteve që i shtohen fondit të materialeve osmane, janë zhvillimet fetare në rajon, si feja Islame, e Krishterë dhe Judaizmi.

Në këto dokumente, do të gjejmë edhe dinamikat, sipas shoqërive përkatëse.

Ky dhurim vjen pas përpjekjeve disavjeçare të Arkivit shqiptar dhe të marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy institucioneve, për shkëmbimin e dokumenteve arkivore.

Më herët, në vitet 2015 dhe 2020, Arkivi i Stambollit ka dhuruar përkatësisht rreth 5 mijë dhe 350 mijë fletë dokumente. Mes tyre gjendeshin urdhëresa, fermanë, të dhëna biografike të Ismail Qemalit, si edhe dokumentacion mbi Ali Pashën, një pjesë e të cilit i është dhuruar organit të kujtesës lokale, Muzeut të Tepelenës.

Kjo bazë e gjerë kërkimore do të shërbejë si shtysë për kryerjen e hulumtimeve të mëtejshme, që hedhin dritë mbi veprimtarinë tërësore të Shqipërisë dhe të shqiptarëve gjatë periudhës osmane deri në shpalljen e Pavarësisë.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani