Rama: Për Vuçiç, zgjedhja e parë është paqja

Publikuar më: 2/9/2022, ora 10:36
rama vucic 1280x720

Rama: Për Vuçiç, zgjedhja e parë është paqja

Publikuar më: 2/9/2022, ora 10:36

Kryeministri Edi Rama, në hapjen e samitit “Open Balkan” në Beograd, u shpreh se “është shumë e rëndësishme që kësaj nisme t’i bashkohen jo vetëm të gjitha vendet e rajonit tonë, por edhe vende si Turqia dhe Italia”.

“Për ne është shumë e rëndësishme që kësaj nisme t’i bashkohen jo vetëm të gjitha vendet e rajonit tonë, por edhe vende si Turqia dhe Italia. Kur po diskutonim Ballkanin e hapur, një kryeministër i një vendi të BE-së, më tha pse nuk ishin ftuar. Më vjen shumë mirë që duan të ftohen në Ballkanin e Hapur gjithmonë e më shumë vende që i përkasin atyre hapësirave ku ne kemi kaq shumë vite që presim të ftohemi”, tha Rama.

Më tej, ai vlerësoi Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Sot, ne vijmë këtu pas një pasditeje për t’u mbajtur mend. Në Panairin e verës pamë në të njëjtën hapësirë dhjetra shefa kuzhine të vendeve tona, në një zonë me një organizim fantastik. Dje nisi të zhvillohej një tjetër potencial i madh ekonomik dhe turistik. Dje mund të ishte një tjetër ditë ku mediat tona të ishin të mbushura me lajme shqetësuese për atë që ndodh në kufirin Kosovë-Serbi dhe dita e djeshme tregoi qartë se cila është zgjedhja e Ballkanit të Hapur. Sot e them me krenari që edhe zgjidhja e lëvizjes me karta identiteti është ide e Ballkanit të Hapur. I shpreh respektin tim Presidentit të Serbisë, që duke e materializuar këtë zgjidhje, ka dhënë një sinjal shumë të qartë për të gjithë: që zgjedhja e parë është paqja. Natyrisht që kjo nuk zgjidh gjithçka dhe as nuk e bën çështjen që neve na ndan një çështje të zgjidhur, por kjo është rruga”, tha kryeministri Rama.