Spanja ul TVSH-në e gazit, masa për të balancuar çmimin për familjarët
Qeveria e Spanjës do të ulë TVSH-në e gazit duke filluar nga muaji tetor në 5% nga 21% që është aktualisht. Kryeministri Pedro Sanchez tha se kjo do të ulë ndikimin e rritjes së çmimit për familjarët, në mënyrë që faturat të jenë më të lira.
“Është e arsyeshme që të reduktojmë faturat për qytetarët, do ta bëjmë nga tetori deri më 31 dhjetor por do të jemi të hapur ta zgjasim këtë masë edhe gjatë vitit tjetër nëse kjo situatë e vështirë që po kalojmë zgjat”, tha Sanchez.
Qytetarët e Madridit e mirëpritën njoftimin por kërkuan zgjidhje afatgjatë. “Nëse nuk duam energji nukleare, atëherë do të duhet të bazohemi tek energjia e rinovueshme”, tha një banor për Reuters.
Kostoja e energjisë është rritur shumë qëkur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt, duke qenë se Rusia është furnizuesi kryesor i gazit natyror në Europë. Spanja ka rënë dakord që të ulë përdorimin e gazit me 7% së bashku me BE, megjithatë konsumi i gazit në Spanjë këtë vit është më i lartë se vitin e kaluar. Spanja ka ulur TVSH e energjisë elektrike dy herë vitin e kaluar.