Turqia kërcënon Greqinë me një “sulm të papritur”

Publikuar më: 4/9/2022, ora 11:53

Turqia kërcënon Greqinë me një “sulm të papritur”

Publikuar më: 4/9/2022, ora 11:53

Ofensiva speciale ushtarake e Rusisë kundër Ukrainës mund të mos jetë e vetmja në tokën evropiane. Turqia, një vend që deri më tani e ka treguar veten si një pikë ndërmjetëse midis të dyja palëve të konfliktit (aty u mbajtën disa takime në kërkim të paqes), tani kërcënon Greqinë se do të kryejë një aksion ushtarak “të papritur”, nëse grekët vijojnë të mbajnë atë që Ankaraja e konsideron një “qëndrim sfidues” në Egje.

Me këto fjalë është shprehur Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan: “Greqi, shiko historinë! Nëse vazhdon kështu, çmimi që do të paguash do të jetë i lartë, shumë i lartë”.

Këtë deklaratë, Erdogan e bëri gjatë një fjalimi në një panair teknologjie në Samsun, në të cilin u ekspozuan dronët e armatosur të prodhimit turk.

Presidenti i Turqisë ka paralajmëruar se “kur të vijë dita dhe koha, ne do të bëjmë atë që duhet”.

“Mund të vijmë papritur, gjatë një nate çfarëdo”, tha Erdogan.

Në muajt e fundit, tensioni mes Turqisë dhe Greqisë është rritur. Nga Ankaraja akuzojnë Athinën për “militarizimin” e ishujve të Egjeut, nëpërmjet transferimit të trupave dhe artilerisë. Disa veprime që, sipas mendimit të Turqisë, shkelin traktatet e Lozanës së 1923 dhe Parisit të vitit 1947. Në qershor, qeveria e Erdoganit kërcënoi se do të “vërë në dyshim sovranitetin grek” mbi këto ishuj.

Përgjigja e Greqisë ndaj këtij sulmi verbal ishte përsëritja e të drejtës së saj për t’u mbrojtur nga qëndrimi “ekspansionist” i Turqisë.

Ndërsa Erdogan ka vënë në dukje një ngjarje të ndodhur në vitin 1923: “Për Greqinë kemi vetëm një fjali: mos harroni Izmirin”.

Atë vit, Turqia dëboi trupat greke nga ky qytet i Egjeut.

Javën e kaluar, në përkujtim të kësaj beteje, Erdogan vuri në dukje se vendi i tij “i hodhi të pafetë në det në Izmir”.

Deri më sot, asnjë nga vendet nuk ka pretendime territoriale në Egje, përveç disa ishujve që janë të pabanuar. Megjithatë, rregullisht, grekët dhe turqit sfidohen mbi kufijtë e hapësirës ajrore që korrespondojnë me ujërat territoriale.