Udhëtim me kanoe për në jetën e përtejme

Publikuar më: 4/9/2022, ora 11:26
kanoe 1280x720

Udhëtim me kanoe për në jetën e përtejme

Publikuar më: 4/9/2022, ora 11:26

Ideja se të vdekurit bënin një udhëtim në jetën e përtejme ishte e zakonshme për shumë qytetërime të lashta. Egjiptianët mumifikuan trupin e të vdekurve të tyre në mënyrë që të mbetej i paprekur në jetën e re jotokësore. Grekët besonin se shpirtrat transportoheshin nga Karoni në Hades. Edhe në Amerikën e Jugut, popullatat parahispanike mendonin se udhëtimi i fundit zhvillohej në ujë, dhe kështu ata varrosnin të vdekurit në një kanoe. Një ekip studiuesish ka gjetur mbetjet e shembullit më të vjetër të këtij riti magjepsës në Patagoni në Argjentinë, ku gati një mijë vjet më parë një grua e re u varros brenda një varke druri. Rezultatet e studimit u publikuan në PLOS One.

Të varrosje të vdekurit në kanoe ishte një praktikë e zakonshme në të kaluarën dhe është ende sot në disa zona të Amerikës së Jugut. Megjithatë, druri i kanoeve dekompozohet lehtësisht për shkak të lagështirës dhe nuk reziston me kalimin e viteve. Pikërisht për këtë arsye zbulimi i studiuesve është kaq i rëndësishëm. Sipas asaj që u zbulua nga të dhënat me radiokarbon, gruaja, e cila duhet të ketë qenë midis moshës 17 dhe 25 vjeç, është varrosur në periudhën 850 dhe 1000 vjet më parë.

Mbetjet u gjetën në një vend arkeologjik të quajtur Newen Antug që ndodhet pranë liqenit Lácar në Argjentinë. Pozicioni i trupit të vajzës, shtrirë me krahët mbi bust dhe kokën pak të ngritur, tregon se kanoeja ishte një strukturë konkave anë të larta që “përqafonin” të ndjeren. Këto varre me kanoe, të cilat u gërmuan duke i djegur nga brenda, u quajtën wampo nga Mapuche, një popull i lashtë amerikan, të cilit ndoshta i përkiste e ndjera.

QERAMIKA SI DHURATE. Pranë kokës, u gjetën mbetjet e një ene qeramike, të lëna si dhuratë për të ndjerën, e zbukuruar me modele gjeometrike në ngjyrë të bardhë dhe të kuqe (siç ishte tipike e epokës parahispanike). Trupi u vendos në një shtrat guaskash të quajtur Diplodon chilensis (një specie molusqesh e ujërave të ëmbla), ndoshta të sjella nga liqeni Lácar.

UDHËTIMI I FUNDIT. Në kulturën “Mapuche”, vendi ku drejtoheshin shpirtrat pas vdekjes quhej Nomelafken, që do të thotë “ana tjetër e detit”. Të vdekurit nisnin një udhëtim metaforik që mund të zgjaste deri në katër vjet, për të arritur në fund ishullin mitik të Külchemapu. “Kjo është arsyeja pse varret ishin në brigjet e një përroi ose një liqeni, për të lejuar rrymën të transportonte shpirtrat në udhëtimin e tyre të fundit,” shpjegon një tregim historik i shekullit të nëntëmbëdhjetë, shkruar nga një politikan kilian i quajtur Salvador Sanfuentes.