Alibeaj mbledh deputetët: Prioriteti ynë dekomunistizimi, reformat zgjedhore e territoriale

Publikuar më: 5/9/2022, ora 16:25

Alibeaj mbledh deputetët: Prioriteti ynë dekomunistizimi, reformat zgjedhore e territoriale

Publikuar më: 5/9/2022, ora 16:25

Në nisje të këtij sesioni të ri parlamentar, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ka prezantuar prioritetet e opozitës për këtë vit.

Kryesore cilësoi se janë Reforma Territoriale dhe ajo Zgjedhore: “Për disa muaj, Shqipëria do jetë përpara një tjetër përballjeje elektorale, në zgjedhjet vendore të 2023, që e bëjnë prioritet mbi prioritetet përmbylljen sa më parë të dy reformave tashmë të propozuara nga Grupi Parlamentar i PD, Reformën Zgjedhore dhe Reformën Administrativo-Territoriale. Të dyja këto reforma janë thelbësore për mbrojtjen e interesit të qytetarëve”.

Edhe këtë sesion, demokratët do të paraqiten përballë kundërshtarit në Parlament të ndarë në dy grupime të mëdha. Përçarja mes tyre ka bërë që Alibeaj së bashku me 16 deputetë që e mbështesin të zhvillonin mbledhjen jo në seli, por në Kryesinë e Kuvendit, nga ku deklaroi se demokunistizmi i shoqërisë do të jetë një tjetër pikë e aksionit opozitar: “Hapja e plotë e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit; ndalimi i simboleve të komunizmit; lustracioni i plotë i jetës politike dhe publike; si dhe krijimi i muzeve të kujtesës kolektive, janë nisma që do të jenë prioritet i yni”.

Me kthimin në Kuvend, Alibeaj synon të ringjallë edhe planet e Lulzim Bashës për vetting-un në politikë, por tashmë me emrin e ri Reforma Anti-korrupsion: “Një vit më parë, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka propozuar një paketë të plotë për kontrollin e pastërtisë së figurës dhe integritetit të zyrtarëve të lartë. Duke përfituar edhe nga çoroditja e opozitës, Edi Rama e ka mbyllur atë në sirtar, duke mos lejuar avancimin e kësaj reforme të shumëpritur nga qytetarët. Për pasojë luftohet jo përmes retorikës boshe dhe sulmit ndaj institucioneve të drejtësisë, por duke i ngarkuar me ligj organet e drejtësisë, duke i vënë në dispozicion mekanizimin e duhur ligjor, që t’i japin fund etjes për pushtet dhe pasurim të paligjshëm të 250 zyrtarëve të lartë”.

Nuk do të mungojnë as kërkesat për komisione hetimore. Alibeaj ka në plan katër të tilla, për çështjen e “Portit të Durrësit”, koncesionit të Aeroportit të Rinasit, pronat publike në bregdet për investitorët strategjikë dhe të ashtuquajturat partneritetet publik-privat.