Dënohet me 22 vjet burg gazetari rus, akuzohet për tradhti të lartë

Publikuar më: 5/9/2022, ora 15:54
gazetari rus 1280x720

Dënohet me 22 vjet burg gazetari rus, akuzohet për tradhti të lartë

Publikuar më: 5/9/2022, ora 15:54

Një gazetar investigativ rus është dënuar me 22 vite burg me akuzën e “tradhtisë së lartë”.

Ivan Safronov u shpall fajtor për dhënien e sekreteve ushtarake ruse tek inteligjenca çeke. Ai i ka hedhur poshtë akuzat.

Safronov punoi si gazetar për një dekadë, duke mbuluar çështjet ushtarake dhe të sigurisë për të përditshmen kryesore ruse të biznesit Kommersant, përpara se të bëhej këshilltar i kreut të korporatës ruse të hapësirës Roscosmos në maj 2020.

Ai deklaroi se gjatë punës së tij ka mbledhur informacione nga burime të hapura dhe nuk ka bërë asgjë të paligjshme. Roscosmos ka thënë gjithashtu se Safronov nuk kishte akses në sekretet shtetërore dhe thotë se akuzat nuk kishin të bënin me punën e tij.

Ish-gazetari kishte refuzuar edhe ofertën e prokurorëve për të rrëfyer dhe për të marrë një dënim me 12 vjet.

Shumë vëzhgues besojnë se akuzat janë qartazi të padrejta dhe se arrestimi lidhet me veprimtarinë e kaluar gazetareske të të riut.

Ai u arrestua në korrik të 2020-s dhe sipas prokurorit, i cili kishte kërkuar 24 vite burg, ai ka bashkëpunuar me inteligjencën gjermane dhe çeke.

Ata që akuzohen për tradhti në Rusi shpesh e kanë të vështirë të mbrohen për shkak të fshehtësisë që rrethon rastet e tyre dhe mungesës së aksesit publik në informacion.

Kremlini po rrit censurën duke goditur mediat e pavarura dhe duke mbytur gjithnjë e më shumë lirinë e shtypit dhe të gjitha format e mospajtimit.