Detaje të reja nga përdhunimi i 11-vjeçares, Prokuroria: Marrja në pyetje u shty 16 ditë, s’kishim psikolog

Publikuar më: 5/9/2022, ora 14:24

Detaje të reja nga përdhunimi i 11-vjeçares, Prokuroria: Marrja në pyetje u shty 16 ditë, s’kishim psikolog

Publikuar më: 5/9/2022, ora 14:24

Prokuroria e Kosovës dha detaje të reja për rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë. Ajo që bie në sy është mungesa e psikologes në prokurori, gjë e cila vonoi për 16 ditë marrjen në pyetje të të miturës.

“Prokurori si pasojë e mungesës së psikologëve të angazhuar në prokurori, që është një nevojë esenciale dhe kemi kërkuar kërkesa të ndryshme që të aprovojnë këtë kërkesë dhe të angazhojnë një psikolog në prokurori përkatëse. Dhe meqenëse është dashur të sigurojmë prezencën e psikologes, ka marrë kohë derisa është siguruar psikologja dhe derisa është intervistuar e dëmtuara në prezencë të psikologes”, tha Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë së Kosovës.

Ajo bëri me dije komplet kronologjinë e gjithë ngjarjes, duke filluar me datën 21 qershor të këtij viti, kur familjarët e kishin shpallur atë të zhdukur. Pas gjetjes së saj një ditë më pas, autoritetet kanë ngritur dyshime se e mitura është trafikuar dhe shfrytëzuar seksualisht, dhe për këtë arsye kanë kërkuar ekzaminimin mjekësor. 

“Me datë 23 qershor të këtij viti, Prokuroria Themelore në Prishtinë, konkretisht prokurori i çështjes ka paraqitur urdhëresë për ekzaminimin e ADN-së në trupin e viktimës. Dhe edhe në këtë kërkesë ka pasuar që kërkesa është e natyrës urgjente”.

E mitura është marrë në pyetje nga prokurori i rastit më 7 korrik, në prezencë të punonjëses sociale dhe psikologes dhe më pas është dërguar në një qendër sociale ku qëndroi për 1 muaj. Më pas është larguar nga aty me kërkesë të familjes së 11-vjeçares. Zëdhënësja Ulaj bëri me dije se personat e përfshirë në dhunimin e të miturës janë identifikuar pas ekzaminimit të informacioneve në telefonin e viktimës, proces i cili ka zgjatur mbi 2 muaj.

“Pas sigurimit të gjitha të gjeturave dhe provave që kishim në dispozicion, Prokuroria në koordinim të plotë me Policinë, ka arrestuar fillimisht gjashtë persona të cilët janë dërguar në ndalim me urdhër të Prokurorit të Shtetit në kohëzgjatje prej 48 orësh, të njëjtit janë dyshuar se kanë kryer veprën penale të dhunimit, të trafikimit me njerëz dhe të shërbimeve seksuale të viktimës së trafikimit”.

Zëdhënësja pohoi se Prokuroria e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm sipas procedurës dhe se të gjashtë personat që akuzohen për përdhunimin disa orë radhazi të të miturës janë tashmë në paraburgim. Sqarimet e prokurorisë erdhën pas kritikave të kryeministrit Albin Kurti ndaj sistemit të drejtësisë për raste të tilla dhe kërkesave të tij për dorëheqje të tjera përveç atyre në polici.