Orëndreqësi pogradecar, 55 vite në zanat dhe dallimet mes dy sistemeve

Publikuar më: 5/9/2022, ora 12:23

Orëndreqësi pogradecar, 55 vite në zanat dhe dallimet mes dy sistemeve

Publikuar më: 5/9/2022, ora 12:23

Sot është 77 vjeç, dhe prej 55 vitesh, vijon zanatin e tij të orëndreqësit në qytetin e Pogradecit. Nazif Kadilli, ose siç e njohin ndryshe orëndreqësi, nuk i është ndarë zanatit të tij, të cilin ka filluar ta mësojë nga i ati që në moshën 15-vjeçare.

Dhe me shumë eksperiencë si në sistemin komunist ashtu edhe në demokraci, Nazifi na tregon për vlerat e zanatit të tij, si dhe benefitet në të dyja sistemet.

“Atëherë ka qenë më e vështirë për të punuar, tani është më e lehtë se bëhet me qarqe. Por atëherë ishte më e vlefshme si punë, ishin të punësuar të gjithë në punë shteti dhe kërkohesh të shkoje në orar, nuk kishte kafe…”, tregon ai për A2 CNN.

 Nëse në monizëm ora ishte e nevojshme, sot për Nazifin orët janë kthyer më shumë në një aksesor.“Atëherë duheshin nga nevoja, sot e duan nga gjendja ekonomike, një gjendje ekonomike e mirë kërkon një orë të mirë”.

Nazif Kadilli

Përveç jetëgjatësisë dhe identifikimit të një personi me zanatin që bën, lavdia e zanatçiut është edhe kur ia trashëgon mjeshtërinë e tij pasardhësve. Dhe në këtë pikë 77-vjeçari duket se ka një peng, të cilin është i detyruar ta pranojë përkundër dëshirës së tij.

“Kam mësuar djalin, por nuk do ta ushtrojë zanatin, ka shkuar në Gjermani, unë dakord jam se nuk mund të hysh në të drejtat e njeriut, por më vjen keq, mua më vjen keq edhe që një ditë të vetme mos të dal në punë”, thotë orëndreqësi në mendime.  

Mosha duket se ende nuk është pengesë për Nazifin që të ushtrojë zanatin e tij, pasi siç thotë edhe vetë vijon të bëjë riparime mikroskopike, njësoj siç i bënte kur ishte i ri.