PD e ndarë në Kuvend, Alibeaj prezanton prioritetet e grupit parlamentar: Të lëmë konfliktet mes vetes, por të fokusohemi te qytetarët

Publikuar më: 5/9/2022, ora 12:19
WhatsApp Image 2022 09 05 at 12.05.12 1081x720

PD e ndarë në Kuvend, Alibeaj prezanton prioritetet e grupit parlamentar: Të lëmë konfliktet mes vetes, por të fokusohemi te qytetarët

Publikuar më: 5/9/2022, ora 12:19

Enkelejd Alibeaj mblodhi grupin e deputetëve të PD-së të cilët e mbështesin për të prezantuar për publikun prioritetet para nisjes së sesionit të ri parlamentar. Edhe pse mbështetësit e Berishës në PD do të propozojnë Luçiano Boçin si kryetar të grupit, pala tjetër vijon punën normalisht.

“Një vit pas masakrës zgjedhore të 25 prillit, ku Edi Rama, vodhi zgjedhjet për të vijuar vjedhjen e shqiptarëve, jeta e secilit prej jush nuk është bërë më e mirë. Shqipëria gjendet në një situatë dramatike për shkak të gjendjes ekonomike, nivelit të lartë të korrupsionit, pandëshkueshmërisë dhe lidhjes së politikës me krimin. Shqiptarët çdo ditë e më shumë po humbasin besimin se ëndrra e tyre e para 32 vjetësh ‘Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa’, mund të bëhet realitet”, tha Alibeaj.

“E për fat të keq, në vitin parlamentar që lamë pas, asnjë ndryshim nuk ndodhi në sjelljen në Kuvend. Shumica pa legjitimitet e kryesuar nga Edi Rama, vijojë të ishte noter i Qeverisë, certifikues i aferave korruptive të Qeverisë, avokate e interesave personale të një grushti njerëzish, duke dalë jashtë misionit që shqiptarët i kanë ngarkuar deputetëve, që është mbrojtja e interesit publik, interesit të qytetarëve, mbrojtja e të drejtave të tyre, ndërtimi i një shteti social që është krah dhe jo përballë qytetarëve. Gjuha e propagandës së qeverisë është bërë bajate, ajo nuk siguron mirëqenie për shqiptarët, por vetëm mjerim, nuk ofron më shumë siguri për qytetarët, por dëshpërim dhe humbje besimi.

Alibeaj tha se opozita harxhoi energji të panevojshme në konfliktin mes vetes, gjë që sipas tij, duhet të ndryshojë. “Tanimë është momenti që opozita të fokusohet vetëm tek problemet e qytetarëve për të ofruar zgjidhjen. Ne besojmë që zgjidhja është rruga për t’i bindur shqiptarët që oferta jonë është e duhura përballë propagandës dhe arrogancës së qeverisë. Për t’i thënë çdo shqiptari se në parlament nuk jemi të gjithë njësoj. Ne jemi të bindur që arroganca e qeverisë mposhtet me ofertë jo me retorikë boshe politike. Me alternativë dhe jo me batuta bajate. Me denoncime konkrete dhe jo me akuza të hedhura në ajër. Me distancim real ndaj korrupsionit dhe oligarkëve, jo me selektivitet dhe lojë interesash”.

Prioritet e propozuara nga Enkelejd Alibeaj

I. REFORMA LEGJISLATIVE

1. Reforma Zgjedhore dhe Reforma Administrativo-Territoriale

2. Reforma për Dekomunistizimin e shoqërisë

3. Reformat Antikorrupsion dhe luftën ndaj Krimit të Organizuar

II. MBROJTJA E INTERESIT TË QYTETARËVE

1. Paketa Ekonomike + Energjitike

2. Paketa e Interesit tonë kombëtar

III. KONTROLLI PARLAMENTAR

1. Megaafera e “Portit të Durrësit”, ku Edi Rama, pa asnjë transparencë dhe pa garë, do të përdor në një projekt privat, miliarda euro pasuri publike;

2. Afera e “Aeroportit Ndërkombëtar Nënë Tereza”, ku Edi Rama, pa asnjë transparencë dhe pa garë, vendosi të zgjasë nga 20 vjet në 35 vjet afatin e kontratës koncesionare, duke dhënë kështu praktikisht një koncesion të ri që i siguron klientëve të tij edhe mbi 500 milion euro të tjera fitime;

3. Aferat me pronat publike në bregdet me të ashtuquajturat “Investime Strategjike”, ku Edi Rama, pa asnjë transparencë dhe pa garë, po i fal miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij, pasuri publike me vlerë miliona euro;

4. Aferat në tenderat publik, PPP apo koncesionet në të gjitha fushat, që janë shndërruar në skema të pastra të vjedhjes së qytetarëve dhe janë kthyer në një gropë për Buxhetin e Shtetit.