PD rikthehet sërish e ndarë në Parlament

Publikuar më: 5/9/2022, ora 11:08

PD rikthehet sërish e ndarë në Parlament

Publikuar më: 5/9/2022, ora 11:08

Ligjvënësit demokratë i drejtohen për të dytin vit radhazi të ndarë institucionit të Parlamentit. Edhe pse përgjatë verës pati tentativa për negociata mes deputetëve që mbështesin Berishën dhe atyre që nuk i janë bashkuar, këta të fundit vijojnë të japin mbështetjen e tyre për Enkelejd Alibeajn në krye të grupit parlamentar.

Por në nisje të seancës plenare, deputetët e Berishës pritet të depozitojnë në Kuvendin e Shqipërisë një kërkesë për të njohur Luçiano Boçin në vend të Alibeajt kryetar të grupit të ligjvënësve blu.

Grupi i deputetëve të PD-së që rikonfirmuan Alibeajn në krye të grupit parlamentar të PD-së do të mblidhen në kryesinë e kuvendit për të zhvilluar një takim para seancës plenare. Në orën 12.00, ata kanë njoftuar një konferencë për media për prioritetet e sesionit të ri parlamentar.

Ndarja në partinë më të madhe të opozitës nisi një vit më parë, pasi ish-kryetari, Lulzim Basha, vendosi të pezullojë përkohësisht nga grupi parlamentar Sali Berishën, për shkak se ai ishte shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara.

Vendimi solli reagimin e fortë të Berishës, i cili nisi një lëvizje brenda partisë për të rimarrë drejtimin e saj. Mes palëve pati edhe konfrontime fizike të ashpra gjatë përpjekjeve për të marrë kontrollin e selisë, ndërkohë që vijon beteja ligjore në gjykatë. Pas humbjes në zgjedhjet e prillit 2021, Basha dha dorëheqjen si kryetar i PD-së, por mbetet deputet i saj.