Zhytuni në festë! Një nëndetëse-diskotekë do t’ju argëtojë në 200 metra thellësi

Publikuar më: 5/9/2022, ora 14:30

Zhytuni në festë! Një nëndetëse-diskotekë do t’ju argëtojë në 200 metra thellësi

Publikuar më: 5/9/2022, ora 14:30

Nëse jeni frekuentues i rregullt i jetës së natës, por jeni mërzitur nga lokalet e zakonshme, mos u shqetësoni. Së shpejti do të hapet nëndetësja-diskotekë, një mjet lundrues nënujor i përshtatur për festa që mund të zhvillohen deri në 200 metra thellësi.

E quajtur Platforma Argëtuese Nënujore, nëndetësja në fjalë është vetëm një koncept, por pritet që të realizohet në një të ardhme të afërt. Ajo është dizajnuar për të mbajtur deri në 120 persona. Kompania prodhuese, U-Boat Worx, premton se nëndetësja private do të organizojë “festat më të paharrueshme në planet”.

Nëndetësja nuk është projektuar për udhëtime të mëdha në distancë, pasi mund të lëvizë me një shpejtësi më pak se 5 km/h, por do të mund të qëndrojë nën ujë deri në 24 orë rresht, falë baterive.

Ajo do të ketë edhe dritare gjigante 4,5 metra të gjata, nga ku pjesëmarrësit në festa të mund të shijojnë edhe bukuritë e botës nënujore. Me një sipërfaqe prej gati 490 metrash katrorë, nëndetësja mund të shndërrohet edhe në restorant, kazino apo sallë konferencash.

Sa i përket shqetësimeve mbi sigurinë, prodhuesit kanë menduar që të pajisin nëndetësen me disa burime energjie alternative, në mënyrë që të mos fiket deri në 4 ditë, kohë e mjaftueshme sipas tyre për përmbylljen me sukses të operacionit të shpëtimit në rast rreziku.