
Champions nis me surprizë, Broja debuton me humbje
Ka nisur menjëherë me surprizë faza e grupeve të Champions League. Chelsea i Armando Brojës, i cili debutoi në kompeticionin më të rëndësishëm të futbollit për klube, humbi 1-0 në Kroaci, ndaj Dinamos së Zagrebit.
Sulmuesi shqiptar u aktivizua në minutën e 60, por nuk arriti që të ndihmonte ekipin e tij për të marrë të paktën një pikë nga ndeshja hapëse.
Ndeshjen e vendosi goli i Orsic, që në minutën e 13 finalizoi në mënyrë perfekte një kundërsulm të kroatëve.
Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të pasdites, Borussia Dortmund mposhti 3-0 danezët e Kopenhagen. Golat për ekipin gjerman u shënuan nga Reus (35′), Guerreiro (42′) dhe Bellingham (83′).