Delegacioni i Kosovës vizitë në Preshevë, Bislimi për diskriminimin e shqiptarëve: Fytyra e vërtetë e Serbisë

Publikuar më: 6/9/2022, ora 10:50

Delegacioni i Kosovës vizitë në Preshevë, Bislimi për diskriminimin e shqiptarëve: Fytyra e vërtetë e Serbisë

Publikuar më: 6/9/2022, ora 10:50

Me kostume kombëtare dhe buqeta me lule i pritën në Bujanoc. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, vizituan shqiptarët në Serbi, për t’iu ofruar mbështetje dhe për të dëgjuar shqetësimet e tyre.

Fillimisht, patën një takim me Këshillin Kombëtar Shqiptar dhe deputetin shqiptar në parlamentin serb, Shaip Kamberi. Më pas, dy zyrtarët kosovarë u zhvendosën në Luginën e Preshevës, ku vizituan shkolla dhe ndanë tekste në gjuhën shqipe.

Bislimi dhe Nagavci patën akuza mjaft të forta për Serbinë, lidhur me trajtimin jo të denjë të shqiptarëve dhe tentativave për shpopullimin e tyre.

“Takuam nxënësit dhe u kemi dhënë libra falas. 4 mijë e 10 nxënës kanë përfituar tekste falas për mësimin në gjitha klasat e fillores. Po aq sa jemi të gëzuar që kemi pasur mundësinë të mbulojmë këtë kosto, po aq jemi të shqetësuar që kemi ndarë libra për vetëm 4 mijë e 10 nxënës duke ditur që para pak viteve në shkollat fillore dhe të mesme të Luginës së Preshevës kanë vijuar mësimin mbi 13 mijë nxënës shqiptarë. Është pak e frikshme shpejtësia me të cilën Serbia ka arritur që me politikat e saj ta shpopullojë këtë regjion. Ka ardhur momenti kur mund t’i tregojmë gjithë Europës si fytyra e vërtetë e Serbisë vërehet në Luginë meqë mendojmë që s’ka asnjë rajon në Europë ku popullata ende në vitin 2022, lufton për tekste mësimore për të drejta bazike, lufton për përfaqësim qoftë minimal nëpër institucione shtetërore”, deklaroi Bislimi.

Shqiptarët e Serbisë parashtruan kërkesën e tyre kryesore për Kosovën.

 “Çështja e të drejtave të Luginës duhet të jetë prezente, besojmë dhe shpresojmë që qeveria e Kosovës, marrëveshjen finale që duhet të arrihet me Serbinë, çështjen e shqiptarëve të Luginës ta ketë pjesë”, shtoi deputeti i Parlamentit Serb, Shaip Kamberi.

Në përgjigje ndaj kësaj kërkese, delegacioni i Kosovës premtoi se do të insistojë që çdo e drejtë që Serbia do ta kërkojë për serbët në Kosovë, të njëjtat do i kërkojë dhe Prishtina për shqiptarët në Preshevë dhe Bujanoc.