Gjykata e Lartë zbardh vendimin, pse refuzoi lirimin e Tahirit

Publikuar më: 6/9/2022, ora 16:11

Gjykata e Lartë zbardh vendimin, pse refuzoi lirimin e Tahirit

Publikuar më: 6/9/2022, ora 16:11

Gjykata e Lartë zbardhi arsyetimin e vendimit përmes të cilit rrëzoi kërkesën e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, për pezullim të dënimit me burg. Ish-ministri iu drejtua kësaj gjykate në prill të këtij viti, gati 2 muaj pasi qëndronte në burg në zbatim të dënimit me 3 vjet e 4 muaj të dhënë nga Apeli i Posaçëm për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.

Tahiri i kërkonte gjykatës ta nxirrte nga qelia me pretendimin se për shkak të funksionit që kishte mbajtur i rrezikohej jeta në burg dhe se familjarët e tij ishin të ekspozuar ndaj eksponentëve të botës së krimit. Në vendimin e Gjykatës së Lartë, të siguruar nga A2 CNN, Kolegji Penal i përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda, Medi Bici e Sandër Simoni arsyetonin se ish-ministri nuk kishte paraqitur asnjë dokumentacion për të provuar pretendimet e tij.

“Në rastin në shqyrtim nuk rezulton që të ketë asnjë indicie që kërkuesi të mund të bëhet objekt i personazheve të krimit që ndodhen duke kryer dënimin në IEVP Fier dhe nuk ka po ashtu asnjë indicie që vuajtja e menjëhershme e dënimit me burgim e të dënuarit Saimir Tahiri, mund të pasjellë pasoja të rënda për vetë të dënuarin, si dhe për familjen e tij”

Arsyetimi i vendimit të Gjykatës së Lartë

Kolegji Penal vlerësonte më tej se nuk mjafton vetëm evidentimi i problematikave, apo i mundësive hipotetike për pasojat që mund të ketë Tahiri apo familjarët e tij, por është e domosdoshme, që rreziku të jetë real dhe i bazuar.

“Për periudhën që është në burg, nuk rezulton që të ketë asnjë ankim nga kërkuesi Saimir Tahiri, referuar personave të caktuar, të cilët janë personazhe të krimit dhe që aktualisht ndodhen duke kryer dënimin në IEVP Fier, siç pretendon kërkuesi në kërkesë, të cilët me veprimet e tyre, të jenë bërë shkak për rrezikimin e integritetit fizik të kërkuesit”

Arsyetimi i vendimit të Gjykatës së Lartë

Nga ana tjetër, Kolegji Penal arsyetonte se rreziku që i kanosej Tahirit apo të afërmve të tij, duhet jo vetëm të ishte real, por i tillë që të mund të shmangej vetëm përmes pezullimit të ekzekutimit të dënimit të familjarit të tyre. Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri shkoi në qeli më 4 shkurt. Fillimisht, ai u vendos në burgun e Fierit, ndërsa në korrik u transferua në burgun e Lushnjës, me kërkesë të familjarëve të tij.

Aktualisht në Gjykatën e Lartë pret shqyrtimin ankimi i bërë nga ish-ministrit që kërkon pafajësi dhe nga SPAK, që kërkon nga 12 vjet burg për Tahirin dhe ish-shefin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela për akuzën e “trafikut të narkotikëve” dhe “grupit të strukturuar kriminal”.