Goditet “Meta”, gjobë 405 milionë euro nga vendi i BE-së

Publikuar më: 6/9/2022, ora 12:23
parlamenti irlandez 1280x720

Goditet “Meta”, gjobë 405 milionë euro nga vendi i BE-së

Publikuar më: 6/9/2022, ora 12:23

Disa nga kompanitë më të mëdha të teknologjisë, duke përfshirë këtu disa nga emrat më të lakmuar në tregun e rrjeteve sociale, kanë seli, madje edhe selitë e tyre kryesore në Europë, në Irlandë.

Shteti i Bashkimit Europian ofron shumë lehtësira fiskale për këto kompani, përtej burimeve njerëzore anglishtfolëse, por nga ana tjetër ka edhe rregulla të hekurta për sa i përket mosrespektimit të disa çështjeve sensitive, si për shembull ajo e privatësisë.

Pikërisht mbi këtë çështje ekziston një komision i posaçëm që monitoron këto kompani, dhe nga viti i kaluar ka filluar të zbatojë rreptësisht direktivën europiane për trajtimin e të dhënave dhe privatësinë, e miratuar në vitin 2018, duke vendosur gjoba të majme.

Lajmi i fundit për një vendim të tillë është i bujshëm, sepse përfaqëson gjobën e dytë më të lartë të marrë nga një kompani në Europë, për sa i përket shkeljes së privatësisë, pas asaj që Luksemburgu i ka dhënë Amazon dy vite më parë.

Selia e Meta në Dublin. Disa nga kompanitë më të mëdha të teknologjisë kanë seli në Irlandë

Në atë rast, shifra kalonte 746 milionë euro, ndërkohë që gjoba e këtyre ditëve është ndaj Instagram, për një total 405 milionë euro. Sipas rregullatorit irlandez, si pasojë e një investigimi të zgjatur 2 vite, Instagram ka vënë në rrezik emailet dhe numrat e telefonit të miliona përdoruesve të mitur në të gjithë botën.

Këto të dhëna, që normalisht nuk pasqyrohen në profilet normale, deri dy vite më parë dilnin në profilet “business” të kompanisë, që siguronte instrumente më të avancuara analize. Për arsye të ndryshme, rreth 60 milionë të mitur kanë ndërruar profilin e tyre “normal” në profil “biznesi”, duke mos ditur që të dhënat e tyre personale do të ekspozoheshin publikisht.

Kjo nuk është gjoba e parë që Komisioni irlandez i jep një kompanie të grupit Meta, të drejtuar nga Mark Zuckenberg. Vitin e kaluar, Whatsapp u gjobit me 225 milionë euro, Facebook me 17 milionë euro, për një total për grupin që tejkalon 647 milionë euro.