Koncerti i Rita Orës, në skenë vetëm këngëtare femra për një mesazh sensibilizues

Publikuar më: 6/9/2022, ora 15:12

Koncerti i Rita Orës, në skenë vetëm këngëtare femra për një mesazh sensibilizues

Publikuar më: 6/9/2022, ora 15:12

Nuk janë vetëm 100 vite marrëdhënie mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, as vetëm një koncert në kuadër të kryeqytetit europian apo javës së kulturës britanike, por edhe një koncert me një mesazh të fortë, një mesazh për vajzat shqiptare si Rita Ora, që përlotet dhe thekson se misioni i saj është të tregojë se ëndrrat bëhen realitet dhe jo vetëm kaq por, sepse çdo vajzë shqiptare meriton të ecë e sigurt në rrugët e vendit të vet.

“Ju kërkoj ndjesë sepse mund të jem pak emocionale në këtë mesazh që po jap duke qenë se vetëm pak kohë më përpara, ajo që ndodhi në Kosovë, një ngjarje shumë e rëndë, na bëri të kujtojmë edhe njëherë se sa e rëndësishme është që të kemi një fokus në këto çështje të rëndësishme sociale dhe se sa e rëndësishme është dhe për prindërit dhe komunitetin që të punojnë me këta të rinj, të punojnë me fëmijët që këto ngjarje të mos përsëriten, që fëmijët të ecin të qetë në rrugët e vendit të tyre, që të mos abuzohen, dhe ky koncert vjen pikërisht falas dhe me këtë mesazh sepse unë dua të tregoj që vajzat shqiptare mund t’ja dalin, të jenë të lira dhe të luftojnë që ëndrrat e tyre t’i bëjnë realitet”, deklaroi këngëtarja e lindur në Prishtinë.

Ngjarja e rëndë e përdhunimit të 11-vjeçares e ngjit në skenë Rita Orën bashkë me artiste të tjera vajza, duke konceptuar kështu një koncert ku zëri i grave dhe vajzave është ai që sjell këto mesazhe për edukim më të mirë dhe sensibilizim me të gjitha ato vajza të dhunuara.

“Unë kam qenë një fëmijë i lumtur dhe kjo falë prindërve të mi. që ndonëse emigruan në Angli kur unë isha e vogël, nuk e pata shumë të vështirë përballjen me kultura të tjera. Anglia është një vend që ndonëse mund të ndihesh i huaj, gjë që e kam ndjerë edhe unë jo pak herë, gjithsesi të ndihmon ta kalosh më lëhtë kur kupton se nuk je i vetmi fëmijë i huaj. Nisa të këndoj që 6 vjeç, atëherë për pasion, që tanimë më është bërë punë. Ndërsa sot që ëndrra është bërë realitet mendoj se është shumë e rëndësishme të japim mesazhe përmes punës sonë”. Ky koncert do të jetë flakë”, shtoi ajo.

Sot në orën 20:00 nis koncerti ku Rita Ora do të performojë në sheshin Skënderbej së bashku me artistet e tjera shqiptare. Të gjithë do të kenë mundësi të shijojnë performancën, nga të katërta anët e sheshit pasi koncerti do të jetë falas për të gjithë qytetarët.