Kriza e energjisë, Erdogan: Evropa po korr atë që ka mbjellë

Publikuar më: 6/9/2022, ora 20:29
erdogan 1

Kriza e energjisë, Erdogan: Evropa po korr atë që ka mbjellë

Publikuar më: 6/9/2022, ora 20:29

Turqia vazhdon të luajë rolin e saj në luftë. Shumë herë, qeveria e Erdoganit ka ndërmjetësuar në konflikt, duke arritur përparime të mëdha, siç është ndërmjetësimi që çoi në marrëveshjen midis Rusisë dhe Ukrainës për zhbllokimin e eksportit të drithit përmes Detit të Zi. Mirëpo, tani nga Turqia vijnë kritika ndaj Bashkimit Evropian.

Presidenti Erdogan ka fajësuar Evropën për problemet që ka aktualisht me furnizimin me energji dhe që mund të përkeqësohen në të ardhmen. Sipas liderit turk, BE-ja “po korr atë që ka mbjellë”.

“Turqia nuk ka asnjë problem me gazin natyror. Evropa gjithmonw korr atë që mbjell. Mendoj se do ta kalojë këtë dimër me probleme serioze”, theksoi Erdogan.

Kreu i shtetit turk është ankuar për “qëndrimin e Europës” ndaj Vladimir Putinit, si dhe për sanksionet që Brukseli ka vendosur ndaj Moskës. Pikërisht për shkak të këtyre masave sanksionuese, Presidenti rus, sipas homologut të tij turk, ka vendosur të ndërpresë gazin në BE për një kohë të pacaktuar.

Turqia e ka deklaruar veten neutrale që nga shpërthimi i luftës, megjithëse është përshtatur me situatën. Për shembull, ajo ka rënë dakord me Kremlinin që të paguajë një pjesë të importeve të gazit rus në rubla, gjë që lehtëson ekonominë e Moskës. Po kështu, ajo nuk ka vendosur asnjë sanksion ndaj Rusisë për të lehtësuar, argumentojnë ata, rolin e saj si “ndërmjetës”.

Josep Borrell, përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme, ka deklaruar se mbështetja për Ukrainën do të vazhdojë “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.

“BE do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën, pavarësisht kërcënimeve që na bën Rusia. Ne do të ofrojmë mbështetje politike, financiare, humanitare dhe ushtarake për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, tha Borrell pas takimit me kryeministrin ukrainas, Denys Shmyhal, në Bruksel.

Sipas Borrell, objektivi i komunitetit është “të ndihmojë Ukrainën të arrijë paqen” dhe “të ndërtojë një Ukrainë moderne, demokratike, të pavarur dhe të begatë”. Më në fund, zyrtari i lartë evropian i kërkoi Rusisë “daljen e pakushtëzuar nga territori i Ukrainës bazuar në kufijtë e saj të njohur ndërkombëtarisht”.