“Miq, erdhi koha”. Johnson ikën nga detyra, Truss pret bekimin e mbretëreshës

Publikuar më: 6/9/2022, ora 12:09

“Miq, erdhi koha”. Johnson ikën nga detyra, Truss pret bekimin e mbretëreshës

Publikuar më: 6/9/2022, ora 12:09

Boris Johnson mbajti fjalimin e fundit si kryeministër I Mbretërisë së Bashkuar. Jashtë apartamentit numër 10 në Downing Street, “BoJo” mbrojti punën e bërë në drejtim të qeverisë ndërsa nuk i kurseu akuzat për udhëheqësit e partisë Konservatore duke pretenduar se ndryshuan rregullat për ta detyruar të dorëhiqej, pavarësisht se në zgjedhjet e fundit mori rezultatin më të mirë në dekada. Përballë familjarëve, miqëve më të ngushtë dhe bashkëpunëtorëve, ai ofroi mbështetje për kryeministren e ardhshme, Liz Truss.

“Ne kemi dhe do të vazhdojmë ta kemi atë forcë ekonomike për t’u dhënë njerëzve paratë që u nevojiten për të kapërcyer këtë krizë energjetike që është shkaktuar nga lufta e egër e Putinit. Dhe unë e di se Liz Truss dhe kjo qeveri e dhembshur konservatore do të bëjnë gjithçka që mundemi për t’i nxjerrë njerëzit nga kjo krizë, dhe ky vend do ta përballojë atë dhe ne do të fitojmë. Nëse Putin mendon se mund të ketë sukses duke shantazhuar ose ngacmuar popullin britanik, atëherë ai është krejtësisht i gabuar”, tha Johnson.

Pas fjalimit të lamtumirës, Johnson fluturoi për në Skoci, bashkë me kryeministren e zgjedhur, Liz Truss, për tu takuar me Mbretëreshën Elizabet, për të përfunduar tranzicionin e detyrës. Gjatë pasdites vonë, Truss do të mbajë një fjalim drejtuar kombit në Doëning Street. Gjithashtu pritet që të nisë me formimin e kabinetit të saj, me sekretaren e brendshme Priti Patel dhe atë të kulturës, Nadine Dorries që kanë dhënë dorëheqjen. Truss u emëruar drejtuese e partisë Konservatore pasi triumfoi me 57 për qind të votave ndaj rivalit Rishi Sunak, duke marrë kështu dhe udhëheqjen e qeverisë. Ndër vendimet e para, ka premtuar uljen e taksave dhe ngrirjen e faturave të energjisë elektrike, si masa për të ndihmuar qytetarët në përballimin e kostos së rritur të jetesës.