Afati për kryepolicin e ri, Rama: 100 ditë kohë për ta nxjerrë policinë nga udhëkryqi

Publikuar më: 7/9/2022, ora 19:32

Afati për kryepolicin e ri, Rama: 100 ditë kohë për ta nxjerrë policinë nga udhëkryqi

Publikuar më: 7/9/2022, ora 19:32

Në prezantimin e Muhamet Rrumbullakut si Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, kryeministri Edi Rama i la afat 100 ditë kohë për ta nxjerrë trupën nga udhëkryqi në të cilin ndodhet.

Kreu i qeverisë u ndal gjatë në tragjedinë e Potamit, duke e cilësuar efektivin e arrestuar si të paudhë, fenomen i cili ka marrë hov, sipas tij. Për këtë, ai paralajmëroi një reformë të rëndësishme strukturore në ngrehinën institucionale që merret me menaxhimin e detit, ndërsa do të ngrihet një njësi policore me emrin e vogëlushes 8-vjeçare që humbi jetën.

Kriminaliteti dhe ulja e numrit total të vrasjeve nuk bënë që kryeministri të mos përmendte zhdukjen e Ervis Martinajt.

Me drejtoreshën e re të IKMT dhe atë të Mbikqyrjes Policore, kreu i qeverisë paralajmëroi dhe një fushatë agresive kundër ndërtimeve pa leje, sidomos të shumëkatësheve që, siç tha ai, do të konfiskohen. 

Rama premtoi dhe rritje të pagës për nivelin bazë të policisë, ndërsa kërkoi nga drejtori i ri i Mbikqyrjes Policore pastrimin e organizatës nga elementë të inkriminuar.

Kryeministri ritheksoi faktin se policia vazhdon të vuajë kusuret e drejtësisë së korruptuar që edhe pse po pastrohet, në nivelet e poshtme vijon të jetë e kalbur.