Kriza energjetike, Banka e Shqipërisë: Sfida për rritjen e ekonomisë është e konsiderueshme

Publikuar më: 7/9/2022, ora 16:52
NESER MASAT E KURSIMIT frame 317 1280x720

Kriza energjetike, Banka e Shqipërisë: Sfida për rritjen e ekonomisë është e konsiderueshme

Publikuar më: 7/9/2022, ora 16:52

Kriza energjetike është shndërruar në rrezikun kryesor të ekonomisë shqiptare, ashtu si edhe për pjesën tjetër të vendeve europiane. Banka e Shqipërisë vlerëson se sfida me energjinë është e konsiderueshme dhe rrezikon të ndikojë ecurinë e ekonomisë dhe aftësinë paguese të familjeve dhe bizneseve.

Qëndrimi i institucionit mbikëqyrës bankar është dhënë në Deklaratën mbi Raportin e Stabilitetit Financiar, ku banka ka analizuar ecurinë e ekonomisë gjatë pjesës së parë të këtij viti dhe bën parashikimet për periudhën e mbetur.

“Për shkak të çmimeve të jashtëzakonshme të energjisë në tregun ndërkombëtar dhe pozicionit të vendit tonë si një ‘importues neto’ i energjisë, sfida për rritjen e ekonomisë në muajt e ardhshëm është e konsiderueshme. Nëse ekonomia ngadalësohet, kjo mund të ndikojë në rënien e aftësisë paguese të bizneseve e të familjeve, dhe të përcillet në sektorin bankar nëpërmjet rënies së cilësisë së aktiveve, rënies së niveleve të fitimit të veprimtarisë apo krijimit të humbjeve financiare”, theksohet në deklaratën e Bankës Qendrore.

Sipas institucionit mbikëqyrës bankar, duhen marrë masa për të përballuar një skenar të tillë, edhe nga bankat tregtare. “Për të administruar këtë skenar, nevojitet që bankat të evidentojnë ekspozimet e tyre më të ndjeshme dhe të ndërmarrin në kohën e duhur veprimet e nevojshme për mbulimin e rreziqeve, duke përfshirë krijimin e rezervave financiare dhe fuqizimin e pozicioneve të kapitalit”, thekson BSH.

Banka Qendrore shton se do të vijojë të monitorojë me kujdes zhvillimet në sektorin bankar dhe në treguesit makroekonomikë e financiarë. Sipas saj, ky proces siguron që vendimet e politikave të institucionit t’i përgjigjen zhvillimeve aktuale dhe pritjeve që ndërtohen mbi to, duke synuar gjithmonë ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe financiar.