
Ukraina mbështet thirrjet e OKB, Zelensky: Impianti bërthamor, zonë e sigurt
Ukraina mbështet krijimin e një zone të mbrojtur në impiantin e energjisë bërthamore në Zaporizhzhia, që kontrollohet nga forcat ruse. Presidenti Volodymyr Zelensky, shprehu gatishmëri të lartë për këtë, por kërkoi më shumë sqarime për mënyrën si do të vendosej dhe respektohej.
“Sa i përket propozimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, Grossi, për të krijuar një zonë të mbrojtur në stacion, ne duhet të shikojmë përmbajtjen specifike të saj: Çfarë do të thotë saktësisht mbrojtje? Nëse përmbajtja e këtij propozimi është çmilitarizimi i territorit të impiantit të energjisë bërthamore – dhe kjo është logjike, sepse ishte prania ushtarake ruse që e vuri stacionin Zaporizhzhia në prag të një fatkeqësie rrezatimi – atëherë ne mund të mbështesim një zonë të tillë mbrojtjeje të çmilitarizuar”, tha Zelensky.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i kërkoi me ngut Rusisë dhe Ukrainës që të dakordësohen për një perimetër të demilitarizuar qark impiantit bërthamor, nën kontrollin e ushtrisë ruse.
Vetëm të martën, Rusia akuzoi Ukrainën se e ka goditur zonën 3 herë në 24 orët e fundit, ndërsa Kievi zyrtar thotë se forcat ruse kanë përdorur impiantin si fushë dhe terrenin e duhur për të qëlluar drejt qyteteve përqark. Ende në centralin bërthamor, punojnë, nën presionin e kërcënimin e ushtrisë ruse, 907 punonjës ukrainas.