Vdekja e 7-vjeçares në Himarë, Rama: Neveri për ulëritësit profesionistë. Ai njeri nuk është shëmbëlltyra e policisë

Publikuar më: 7/9/2022, ora 16:13
EDI RAMA frame 17152 1280x720

Vdekja e 7-vjeçares në Himarë, Rama: Neveri për ulëritësit profesionistë. Ai njeri nuk është shëmbëlltyra e policisë

Publikuar më: 7/9/2022, ora 16:13

Kryeministri Edi Rama iu rikthye ngjarjes tragjike në Himarë, ku një vajzë 7-vjeçare humbi jetën pasi u godit nga një skaf në det.

“Dhimbja për një jetë aq të re të rrëmbyer aq egërsisht nga një shkelje aq e madhe e rregullave, sinqerisht më ka gërryer me ditë e net. Edhe tani prapë kam një ndjenjë shumë të fortë revolte, për faktin se shkelësi, i cili u kthye në vrasës, ishte një punonjës policie, që normalisht edhe si pushues duhet të jetë shembulli i respektit për ligjin dhe rregullin”, tha Rama gjatë një takimi në Ministrinë e Brendshme ku u prezantua Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe drejtuesit e rinj të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore e të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.

“Ky fakt e bëri tragjedinë për prindërit dhe për çdo shqiptar, jo thjesht të dhimbshme, por edhe shumë revoltuese për shkak pikërisht të profilit të autorit. Ajo tragjedi nuk ka dot asnjë ngushëllim, por edhe në kulmin e dhimbjes ekstreme ajo familje tregoi vetëpërmbajtje të hatashme. Përulësisht respekt për ta të cilët qëndruan lart”.

“Nga ana tjetër, ishte neveri e gjallë sesi u shfaqën ulëritësit profesionistë në politikë e media, a thua se vogëlushja fatkeqe iku nga kjo botë për të furnizuar me gjakun e saj engjëllor makinerinë djallëzore të urrejtjes që nuk reshtën. Dua ta them publikisht me keqardhje që bëra gabim që u mora me ta menjëherë pas ngjarjes. I përgëzoj të rinjtë që dolën në protestë. Nuk isha dakord me ta që “vogëlushen e vrau shteti”, por i mirëkuptoj”, shtoi kryeministri.

Megjithatë, ai hodhi poshtë pretendimet se efektivi Arjan Tase, autor i vrasjes së 7-vjeçares në Himarë, është fytyra e Policisë. “A ishte ai njeri i paudhë shëmbëlltyra e Policisë së Shtetit? Unë them jo. As ai, që uroj të marrë ndëshkimin më ekstrem, dhe as të tjerë individë të cilët vetë AMP i ndjek, i heton, i ndalon brenda uniformave blu, nuk janë shëmbëlltyra të policisë, por thjesht jashtëmbetje të një organizmi që është në transformim. Të paudhët kanë marrë hov kohët e fundit, hov që duhet ndërprerë sa më shpejt, me disiplinë ushtarake”, tha Rama.