Sondazh: Si ka ndryshuar figura e babait në familje ndër vite?
  • Më i pranishëm me fëmijët 14%
  • Më i zënë në punë 71%
  • Ndihmon në shtëpi 14%

Vjen edicioni i 13-të i festivalit “Fokus Awards”

Nga A2 CNN
7 Shtator 2022, 16:35 | Aktualitet

“Focus Awards”, Festivali më i rëndësishëm i fotografisë që zhvillohet në Shqipëri dhe që mbahet në qytetin e Fierit duke e kthyer këtë qytet në qendrën e fotografisë Shqiptare për 13 vite me radhë, do të hapë edicionin e tij të 13-të në datat 23 dhe 24 shtator. Në ndryshim nga tradita e viteve të kaluara, tashmë ky edicion do të zhvillohet edhe në Tiranë.

Ne kontaktuam Drejtorin Artistik të festivalit, Z. Arben Alliaj i cili nuk nguroi t’i përgjigjej interesimit tonë.

- Si lindi ‘Fokus’?

- Ishin vitet 2000 kur unë fillova të merresha me fotografinë, kohë kur unë kuptova se ajo që kisha mësuar nga fotografë të vjetër të qytetit tim, nuk ishte ajo që unë mendoja se fotografia duhet të jetë. Gjithashtu në galerinë e qytetit, por jo vetëm, shihja se mungonin plotësisht aktivitete dedikuar asaj. Bisedoja me fotografë mbi shqetësimin tim për të kuptuar nëse ekzistonin të tjerë që e mendonin fotografinë si pjesë të rëndësishme të arteve pamore, dhe iniciova me financat e mia në Nëntor të vitit 2006 edicionin e parë të Festivalit të Fotografisë Artistike ‘Fokus’, i cili u prit shumë mirë, dhe që ne vitin e dytë të tij i kaloi nivelet e pjesëmarrjes kombëtare. Nisur nga jehona pozitive, sidomos ne rajon, ftova fotografë të afirmuar nga të gjitha trevat shqiptare që t’i bashkohen organizimit dhe kurimit të tij. Së bashku kemi bërë të mundur jo vetëm qe ‘Fokus Awards’ ta kthejmë në festivalin më të rëndësishëm ndërkombëtar në Shqipëri, por edhe fotografinë ta ngjisim në vendin qe i takon ne galeritë shqiptare. Ndaj gjej rastin të falënderoj bashkëpunëtorët e mi të ngushtë, Burim Myftiu, Osman Demiri, Elton Koritari, Saimir Ahmeti, Albes Fusha, Elenica Paloli, por edhe shumë të tjerë të cilët nuk ndodhen në “zonën” e dukshme por që na mbështesin pa kufij kur bëhet fjalë për fotografinë. Duhet të shtoj se ky sukses duhet të ndahet edhe me Bashkinë e qytetit Fier e cila dalëngadalë rriti financimin e saj duke u bërë dhe investitori më i madh momentalisht në këtë aktivitet, dhe së bashku me Ministrinë e Kulturës dhe Benart Print, mbajnë peshën kryesore të financimit të tij.

- N’a tregoni disa detaje si organizohet ky aktivitet në përgjithësi dhe të veçantat e këtij edicioni.

- Ne kemi rol organizativ dhe qëllimi ynë është pasqyrimi jo vetëm i një realiteti përmes fotografisë, por edhe nxitja e një debati pozitiv mbi fotografinë bazuar në traditën tonë dhe ne shkolla te ndryshme artistike anembanë botës. Për këtë qëllim, ne përzgjedhim profesionistë të fotografisë ndërkombëtare për te gjykuar dhe vlerësuar fotografitë e shumta që prezantojnë fotografë nga e gjithë bota. Dhe pjesë e Jurisë së Festivalit ‘Fokus Awards’ kanë qenë pjesë emra të njohur të fotografisë nga shumë shtete si: Jutta Benzenberg - Gjermani, Suzana Varvarica - Shqipëri,  Afrim Spahiu - Kosovë, Aldo Pavan - Itali, Francesco Likata - Itali, Osman Demiri - Maqedoni, Enver Bylykbashi - Kosovë, Fahredin Spahija - Kosovë, Albes Fusha - Shqipëri, Leon Cika - Shqipëri, Armand Sallabanda – Shqipëri, Boro Arsovski – Maqedoni, Eliza Hoxha – Kosovë, Zef Paci – Shqipëri, Merih Akogul – Turqi, Prof. Rudolf Schafer - Gjermani, Orestia Kapidani - Shqipëri, Roland Tasho - Shqipëri, Maria Lanotte - Itali, Massimo Sciacca - Itali, Agron Domi – Shqipëri, etj

Çdo vit në periudhën maj-korrik, ne shpallim aplikimet bazuar në rregulla të paracaktuara që më parë dhe të publikuara në rrjetet tona zyrtare të komunikimit. Deri vitin e kaluar ne kemi ftuar fotografët të aplikonin vetëm për një kategori/temë ku kuratori i ftonte të interesuarit të aplikonin mbi bazën e një koncepti kuratorial të paracaktuar. Por duke pare interesin e shumë fotografëve të cilët punonin në zhanre te ndryshme, vendosëm të shtojmë kategoritë për të interesuarit. Tani që ka mbaruar afati i pranimit, konstatojmë 420 aplikime nga 23 shtete të ndryshme të botës duke na konfirmuar se aktiviteti shihet nga fotografët si ndër më seriozët, profesional dhe shumë i rëndësishëm.

- Vitet e fundit ju kemi parë edhe në aktivitete të fotografisë italiane.

- Po, falë eksperiencës që tashmë kemi fituar, kemi pasur dhe çfarë të tregojmë. Që prej edicionit të 12-të ne jemi në partneritet të ngushtë me Shoqatën Ndërkombëtare për Fotografinë, Videon dhe Komunikimin ne Itali ‘FIOF’. Ky partneritet jo vetëm që na shërben për të ofruar dhe shkëmbyer eksperiencat reciproke, por i shërben edhe turizmit në qytetin tonë, pasi kanë konfirmuar pjesëmarrjen në aktivitetet shume Italianë veç vizitorëve te përhershëm nga rajoni. Gjithashtu, kemi filluar bashkëpunimin dhe me një tjetër shoqatë të rëndësishme të fotografisë në Greqi ‘PHOTOMETRIA’ dhe presim ta zyrtarizojmë së shpejti. Këto bashkëpunime nuk kanë qellim vetëm ofrimin e ndihmës në aktivitetet reciproke, por edhe prezantimin e vlerave të fotografisë së shteteve që ne përfaqësojmë, ku shume shpejt fotografë shqiptarë do të keni mundësinë t’i shikoni dhe në galeri të Italisë apo Greqisë.  Ardhjes ne ndihmë me njohuri për fotografët e rinj nëpërmjet trajnimeve nga fotografë të njohur, gjithashtu bën të mundur edhe dhënien e asistencës për fotografët shqiptarë, të cilët dëshirojnë të aderojnë për kualifikime në Master Qualified Europian Photohrapher, MQEP etj.

- Kthehemi edhe njëherë tek ky vit. Çfarë do të duhet të presim?

- Këtë vit dua ta them me zë të lartë qe ta dëgjojnë të gjithë, është viti i parë që ne duam të bëjmë atë që kemi ëndërruar për fotografinë Shqiptare, dhe jo vetëm atë që kemi pasur mundësi të bëjmë gjithmonë. Ne prej disa edicionesh rresht kemi dëshiruar ta bëjmë këtë, por financimet e pamjaftueshme na kanë penguar. Jo se ketë vit financimi është më i mirë, por jemi angazhuar dhe vete shumë financiarisht për t’i sjellë artdashëseve dhe publikut jo më një aktivitet te cunguar, por një aktivitet që do të na nderojë të gjithëve.

Ndaj ju ftoj në datat 23 Shtator në Tiranë dhe 24 Shtator në Fier të na vizitoni dhe shijoni Tiranën, Fierin, Shqipërinë. Ta vizitoni dhe monitoroni ‘Focus Awards’ në veçanti, ta monitorojnë strukturat shtetërore si Bashkia Fier dhe Ministria e Kulturës, dhe nëse e meritojmë një mbështetje të vërtetë për këtë festival mbi fotografinë shqiptare, mos ta kursejnë. Ne edhe me financat tona si askush tjetër do t’jua sjellim këtë festival shqiptarësh të bashkuar, profesionistë dhe transparent. Ne dëshirojmë që ky aktivitet te hyj në listën e projekteve të Ministrisë së Kulturës që duhet të mbështetet çdo vit në kuadër të një agjende kombëtare të aktiviteteve të rëndësishme që Shqipëria zhvillon. Vendit tonë i takon ta ketë një organizim të tillë, sepse ka dy ikona pjesë të historisë botërore të fotografisë, Marubin dhe Gjon Milin.

Sigurisht qe ky vit është i bazuar tek tradita që kemi krijuar por edhe me shumë elementë të rinj. Do të kemi katër ekspozita fotografie. Edhe këtë vit ashtu si vitet e tjerë, ne ftojmë fotografë të njohur në fotografinë botërore. Festivalin aktivitetin do ta nderojë fotografi Francesco Cito. Ai është dy herë fitues i çmimit ‘World Press Foto’ dhe ka fotografuar në shumë luftëra dhe ngjarje në botë. Në datën 23 Shtator, në katin e katërt të ABA Business Center në Tiranë, në prani të të interesuarve ai do të sjellë eksperiencën e tij si fotograf lufte, por jo vetëm. Më pas në Art Galeri “Kalo” do të jetë e hapur ekspozita me fotot me te mira të tij për artdashësit.

Në 24 Shtator gjithë vëmendja do të jetë në Fier ku do të hapen tre ekspozita paralele të tjera në Galerinë e Artit te qytetit: do të jetë ekspozita fotografike “Tjetri”, ku kuratorja Vlora Demiri ka përzgjedhur 43 foto konkurrente për çmimin ‘Fokus 2022’, dhe në sallën tjetër do të jetë ekspozita me fotografitë më të mira të kategorive që kemi shpallur, ku edhe për ato, do të kete çmime speciale të cilat do të ndahen në një mënyrë të merituar në një shfaqje të rëndësishme artistike në sallën e Teatrit “Bylis” Fier. Para fillimit të ceremonisë së ndarjes së çmimeve do të jetë dhe ekspozita e Ambasadorëve të Fotografisë Italiane në hollin e Teatrit në kuadër të bashkëpunimit midis FIOF dhe Focus Awards.

Juria e këtij viti përbëhet nga emra të njohur të fotografisë, si Francesco Cito (Itali), Roberto Colacioppo (Itali), Armando Babani (Shqipëri), Tima Jam (Angli), Arton Humolli (Kosovë), Achilleas Tziakos (Greqi). Të gjitha fotot e kategorive qe kane aplikuar, i janë prezantuar jurisë në mënyrë anonime, pa emra shtetesh dhe autorësh, por me nga një kod shoqëruar vetëm me titullin e fotografisë. Bazuar mbi një sistem pikëzimi dhe eliminimi juria kanë marrë vendimet e tyre të pavarura, dhe kështu është arritur deri tek fituesit. Përjashtim ka bërë vetëm kategoria tematike “Tjetri”, ku kuratorja nga Maqedonia e Veriut Vlora Demiri, nga 120 aplikante nga 23 shtete, përzgjodhi vetëm 43 artiste për tu ekspozuar, dhe në fund vetëm njëri prej tyre do të zgjidhet fitues i çmimit të këtij edicioni.

- Pra s’duhet të mungojmë në Fokus Awards Festival?

- Ne kemi punuar që gjithçka ta sjellim në perfeksion, prandaj ftojmë të gjithë artdashësit dhe artistë të fotografisë të jenë të pranishëm në këtë aktivitet, për të përjetuar atë që arrijnë të bëjnë shqiptarët kur janë të bashkuar. E them shqiptarët e bashkuar, sepse me këtë motivacion i janë bashkuar me mbështetjen e tyre dhe biznese të sektorit të fotografisë si Fuji Film, Redis, Zgatar dhe Instax me qëllimin e vetëm për ti dhënë Shqipërisë këtë Festival të rëndësishëm ndërkombëtar të fotografisë. Unë dëshiroj ta përjetojmë të gjithë këtë edicion, sepse ajo që filluam me modesti dhe pasion 13 edicione më parë, tashmë nuk është vetëm një përgjegjësi serioze para traditës tonë të fotografisë, para fotografëve shqiptar, dhe nëse sot arritëm deri këtu, “FAJI” nuk është vetëm i imi por edhe i kryetarit të Bashkisë Fier, z. Armando Subashi, drejtuesve te artit dhe kulturës nder vite në qytetin e Fierit, Ministrisë së Kulturës, Shoqatave te artit dhe galerive bashkëpunëtoreve të ngushtë që kanë kontribuar në rritjen e suksesit të tij, televizionit A2 CNN për mbështetjen si media partner i edicionit ‘Fokus Awards’, ndaj përulësisht te gjithëve, faleminderit!

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani