Vuçiç: Ky dimër do të jetë i ftohtë, tjetri do të jetë polar

Publikuar më: 7/9/2022, ora 21:22

Vuçiç: Ky dimër do të jetë i ftohtë, tjetri do të jetë polar

Publikuar më: 7/9/2022, ora 21:22

Një turk që mbron Rusinë nga Serbia. Bëhet fjalë për personin më të pushtetshëm të Ankarasë, Presidentin Rexhep Tayyip Erdogan. Përkrah homologut Aleksandër Vuçiç, në Beograd, kreu i shtetit turk i konsideroi jo korrekte politikat provokative të Perëndimit ndaj Rusisë, duke nënvizuar se me këto praktika nuk do të arrihet asgjë.

Reagimi i tij vjen pasi Bashkimi Europian propozoi vendosjen e një tavani për çmimet e importit të gazit rus.

“Ne po bëjmë përpjekje për të parë nëse kjo luftë mes Ukrainës dhe Rusisë mund të përfundojë sa më parë, apo jo? Por, duket se nuk do të marrë fund shpejt dhe për këtë lëshoj një thirrje për ata që nënvlerësojnë Rusinë. Ju po bëni një gabim. Rusia nuk është një vend që duhet nënvlerësuar”, tha Erdogan.

Presidenti i Turqisë kritikoi Bashkimin Europian për qasjen ndaj Rusisë në shkëmbimet energjitike, duke thënë se tani të gjithë janë të shqetësuar nëse do mbijetojnë këtë dimër dhe se e gjithë kjo duhej menduar më përpara, pasi Moska luan një rol tepër të rëndësishëm në këtë sektor.

Nga ana tjetër, Vuçiç i kërkoi ndihmë Erdoganit për furnizimin me energji elektrike gjatë dimrit, për t’i mundësuar Serbisë sasitë që do t’i mungojnë: “Ky dimër do të jetë shumë i ftohtë për të gjithë ne dhe nëse e keni dëgjuar me vëmendje, mendoj se dimri i ardhshëm do të jetë polar për të gjithë Europën, sepse më duket se askush nuk dëshiron një zgjidhje. Për ta thënë me fjalë të tjera atë që tha zoti Erdogan, kam frikë se të gjithë presin humbjen e palës kundërshtare, jo një kompromis”.

Gjithashtu, shprehu interesin për thellimin e bashkëpunimit në sektorin ushtarak me blerjen e dronëve pa pilot “Bajraktar”.

Vuçiç dhe Erdogan diskutuan edhe për Kosovën, me Presidentin turk që ofroi mbështetje për dialogun Prishtinë-Beograd në mënyrë që të arrihet një zgjidhje. Gjithashtu, bëri thirrje për vulosjen sa më shpejtë që të jetë e mundur të një kompromisi për çështjen e targave.